Begaj:Reforma në drejtësi solli zhvillime pozitive për Gjykatën Kushtetuese
BKT
Shqipëri

Begaj:Reforma në drejtësi solli zhvillime pozitive për Gjykatën Kushtetuese

ATSH

Presidenti Bajram Begaj po merr pjesë në konferencën ndërkombëtare “Roli i Gjykatave Kushtetuese në Demokracitë e Reja”, organizuar me rastin e 30-vjetorit të themelimit të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë.

Në fjalën e tij, Begaj vlerësoi se Gjykata Kushtetuese është një gur themeli për ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe garantimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

“Që nga 1992, Gjykata Kushtetuese është konfirmuar si një institucion i balancuar dhe i vendosur në rrugëtimin drejt standardeve më të mira. Ndryshimet ligjore në këto 30 vite e kanë vënë Gjykatën Kushtetuese para sfidave të ndryshme, duke prekur aspekte të organizimit, kompetencave dhe funksionimit normal”, tha Presidenti.

Sipas tij, “reforma në drejtësi, e mbështetur fuqimisht nga partnerët tanë evropianë dhe amerikanë, ka sjellë zhvillime pozitive për Gjykatën Kushtetuese dhe aksesin në drejtësinë kushtetuese”.

“Rregullimet në mënyrën e zgjedhjes dhe emërimit të gjyqtarëve të Gjykatës, përfshirja e disa organeve kushtetuese, me kompetenca të detajuara, ka mundësuar një përzgjedhje në bazë të meritës profesionale dhe shkëputje nga ndikimi politik”, tha ai.

Sipas Presidentit, “zgjerimi i rrethit të subjekteve, që mund të iniciojnë një gjykim kushtetues, është gjithashtu një zhvillim pozitiv”.

“Lejimi i ankimit individual ndaj çdo akti të pushtetit publik ose vendimi gjyqësor, rrit kontrollin mbi kushtetutshmërinë e akteve dhe ofron mbrojtje më të madhe të të drejtave dhe lirive themelore, të garantuara në Kushtetutë”.

Begaj theksoi se “transparenca mbetet thelbësore për të ruajtur besimin e publikut te Gjykata Kushtetuese dhe për të siguruar një qasje të lehtë dhe cilësore të qytetarëve në drejtësi”.

“Pavarësimi dhe paanshmëria kërkojnë mbështetjen e duhur financiare dhe autonomi buxhetore, për të mundësuar funksionalitet, aftësi vetërregulluese dhe për të mos lejuar asnjë cenim, nga asnjë degë e pushtetit”, tha Presidenti.


MË SHUME NGA Shqipëri