Hoti i shkruan Kurtit: Mos e rrezikoni mbështetjen e SHBA-së
M.Shefkiu/RTKLive
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish-kryeministri Avdullah Hoti, kërkon nga kryeministri Albin Kurti që mos të rrezikoj mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në një postim në facebook, ai përmend disa nga pikat e bashkëpunimit me SHBA-në sa ka qenë ai shef i qeverisë.
“Kur janë koordinuar veprimet tona me Shtëpinë e Bardhë: Ka ndodhur njohja nga Izraeli; kemi demarkuar praktikisht një pjesë të kufirit me Serbinë; kemi siguruar mbështetjen për projekte madhore të hekurudhave dhe autostradave; kemi siguruar mbështetjen nga MCC për gaz dhe energji; kemi nënshkruar marrëveshjen për insentiva të investimeve dhe qasje në financa në tregje amerikane dhe; e kemi nënshkruar marrëveshjen për teknologji 5G të sigurt”, ka thënë Hoti.
Po ashtu deputeti i LDK-së, thotë se në kohën kur është koordinuar me SHBA-në është kornizuar edhe dialogun vetëm për njohje reciproke, “pa cenuar integritetin territorial, pa prekur karakterin unitar të shtetit të Kosovës, si dhe duke mos pranuar asgjë pa u nënshkruar marrëveshja për njohje reciproke”.
“Mos e rrezikoni këtë mbështetje, sepse do të mbeteni të izoluar si regjimi i Enver Hoxhës. Sigurisht se populli i Kosovës nuk e lejon që izolimi të vazhdoj. Do të detyroheni të lironi zyrat dhe të dorëzoni mandatin tek ata që e ruajnë dhe avancojnë miqësinë e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar Hoti.























