Rama: Pagat e pedagogëve janë rritur me 15 %
BKT
Shqipëri

Rama: Pagat e pedagogëve janë rritur me 15 %

ATSH

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se pagat e pedagogëve janë rritur me 15 %, më shumë se të gjitha kategorive të tjera.

“Pedagogëve iu janë rritur më shumë pagat në këtë periudhë, sepse 7 % u janë rritur nga qeveria dhe 8 % nga universiteti, duke shfrytëzuar autonominë. Me këtë nuk dua të them që të ngrihen dhe duartrokasin, përkundrazi duhet t’ua rrisim më tepër. Por, shikoni çfarë ndodh”, u shpreh Rama.

“Fatmirësisht nuk janë të gjithë pedagogët, shumica e tyre janë në mësim. Shumica e tyre janë në krye të detyrës, tregojnë se janë të denjë për atë titull të madh qytetarie që të jep emri i mësuesit, pedagogut. Por janë një pjesë e tyre, nën drejtimin e një SHIK-si të vitit ’97, kohës më të zymtë të shtetit shqiptar, që kërkojnë për llogari të “nongratës” dhe të “çorbës së rublave” të krijojë idenë përmes ekraneve, që për llogari të pronarëve të tyre janë rreshtuar kundër qeverisë”, tha Rama.

“Unë jam shumë krenar që jemi i vetmi vend në rajon që s’ka asnjë ekran proqeveritar. Kjo, për mua tregon që qeveria është e distancuar fare mirë nga interesat e atyre që fshihen prapa ekraneve. Dhe në ato ekrane, ju shikoni se si po bëhet nami, po zien një kusi e madhe me presion, sepse janë ca që dalin e mbushin ekranet medemek një protestë të madhe, e cila nuk ekziston. Dhe mbi të gjitha, ajo që është më e rëndësishmja, është që ne jemi në një kohë, kur nuk kemi mundësi të bëjmë ndalimin e kësaj vale që e ndien e gjithë Evropa. Ne mund ta zbusim, por duke e nisur nga pensionistët, mësuesit, infermierët, duke rritur pagën minimale”, u shpreh Rama.

Rama i bëri thirrje edhe sektorit privat të rrisë më tej pagat, për të ruajtur kapitalin njerëzor.


MË SHUME NGA Shqipëri