LDK: Shkarkimi i rektorit, ndërhyrje e pushtetit në UP
B. Halimi / RTKlive
Lidhja Demokratike e Kosovës e ka vlerësuar si ndërhyrje të pushtetit në Univeristetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, shkarkimin e rektorit prof.dr. Naser Sahiti. Ky i fundit u shkarkua sot nga Këshilli Drejtues i këtij universiteti.
“Për Lidhjen Demokratike të Kosovës kjo është ndërhyrje e papranueshme e politikës në institucionet arsimore. Këtij akti të papranueshëm e të dëmshëm për arsimin i ka paraprirë kapja e Këshillit Drejtues të UP-së nga partia në pushtet përmes përzgjedhjes së kandidatëve me kriter partiak-klientelist e me integritet të kontestuar”, thuhet në reagimin e LDK-së.
Sipas këtij subjekti politik “Këshilli Drejtues i UP-së ekzekutoi sot sheshazi kërkesën politike të Qeverisë për të instaluar rektor të dëgjueshëm të pushtetit në UP”.
Për LDK-në efektet e ushtrimit të ndikimit dhe të kontrollit nga pushteti në arsimin e lartë dëmtojnë rëndë cilësinë dhe funksionimin institucional.
“Dija, hulumtimi shkencor dhe studimi në universitet janë jetike për zhvillimin e arsimit, ndaj çdo ndërhyrje politike në këtë institucion të rëndësishëm është i pafalshëm”, thuhet tutje në reagim.
Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se respektimi i autonomisë së universitetit është kusht për të siguruar integritetin dhe cilësinë e arsimit të lartë.























