"Udhëve": Komuna paralele ende aktive në Mitrovicën e Veriut|Video
BKT
Lajme

"Udhëve": Komuna paralele ende aktive në Mitrovicën e Veriut|Video

Kaltrina Rexhepi-Dragusha / RTK

Veriu i Mitrovicës dhe strukturat paralele ende janë problem i Kosovës. Ekipi hulumtues i emisionit "Udhëve" në RTK e ka trajtuar këtë çështje dhe ka gjetur se në Mitrovicën e Veriut ushtron veprimtarinë ilegale komuna paralele serbe, e që kryetar i saj është ish-nënkryetari i komunës së Mitrovicës së Veriut, Aleksander Spiriq.

“Aty vijnë fonde shumë të mëdha buxhetore nga Republika e Serbisë dhe nga aty shpërndahen”, ka theksuar Nexhat Uglamir, ish-asemblist i Partisë Boshnjake. Ai ka treguar se në kuadër të komunës ilegale ka më shumë të punësuar se sa në komunën e Mitrovicës së Veriut.

Prona në të cilën vepron komuna paralele e veriut, me një vendim të kryeministrit të atëhershëm, Isa Mustafa, i ishte kthyer si pronë shtetit të Kosovës, por që veprimtaritë ilegale aty po vazhdojnë.

Vetëm pak muaj para se ta merrte pozitën e përkohshme të kryetarit të komunës paralele në veri, Spiriq kishte qenë i angazhuar në Beograd në cilësinë e të ashtuquajturit kryetar i Autoritetit të Përkohshëm të Komunës së Mitrovicës.

"Sytë e të gjithë neve në Mitrovicë janë të përqendruar në Beograd, dhe çdo ditë provohet se sa e rëndësishme është ajo mbështetje dhe sa mbështetje ka për të gjithë serbët këtu", kishte deklaruar Spiriq.

Por, nënkryetarja e Komunës së Mitrovicës së Veriut, Adrijana Hoxhiq, nuk e pranon ekzistencën e kësaj komune paralele serbe në veri.

“Lexova pyetjet tuaja por, unë për besë nuk kam informata të sakta për t'u përgjigjur. Komuna e menaxhon vetëm pronën komunale”, ka thënë ajo. E nënkryetari i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, e pranon që në atë pjesë ekziston komuna ilegale, por ai thotë se autoritetet duhet të angazhohen në shuarjen e saj. “Realisht ajo komunë nuk duhet të ekzistojë, realisht në letër nuk ekziston, po flasim edhe sipas marrëveshjeve të arritura në Bruksel, ku strukturat paralele janë të shuara. Ato realisht në letër janë shuar. Shpresoj që organet kompetente do t’ia vendosin drynin dhe këto çështje duhet t’ia adresoni atyre dhe jo neve”, ka theksuar Skënder Sadiku, nënkryetar i Kuvendit të komunës së Mitrovicës së Veriut.

Për këtë temë janë pyetur edhe autoritetet e Kosovës, por asnjëra nga ministritë nuk ka pranuar që ka informata për këtë komunë që e thyen sovranitetin e Kosovës.

 


MË SHUME NGA Lajme