Video|Osmani: Albright do të mbetet një figurë historike për Kosovën
N.Mekolli /RTKlive
(E plotësuar) Me iniciativë të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në Prishtinë sot nisi punimet Forumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili do të grumbullojë 126 folës nga 33 shtete, 6 kontinente dhe mbi 400 pjesëmarrës.
Osmani: Do të punojmë ditë e natë për barazinë e Grave
(E plotësuar) Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pasi bëri hapjen e punimeve të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, përshëndeti të pranishmit. Ajo tha se ky Forum sot është kulmi i një pune ndër dekada, për çka kanë punuar gratë e Kosovës, para 22 vitesh gratë nisen iniciativën për Rezolutën 13/25.
“Gratë në Kosovë kanë kaluar një rrugë të gjatë deri këtu, por sot të drejtat e grave në shumë vende të botës po shkelen, ato po dhunohen deri në vdekje. Por, kjo nuk do të thotë se ne do të heshtim, ka shumë të reja që luftojnë për këto të drejta”, tha Osmani.
Ajo, tha se do të punojnë ditë e natë për barazinë dhe se nuk mund të harrohet histori e grave të Kosovës, që me protesta me kalimin e vështirësive të shumta gjatë luftës.
“Na vjen mirë që kemi grumbulluar një numër kaq të madh pjesëmarrësish në këtë Forum.
Osmani falënderoi pjesëmarrësit e këtij Forumi, nga 33 vende të botës. Deri sa foli për gratë në ukrainase po vuajnë nga lufta e agresionit të Rusisë në Ukrainë.
Presidentja Osmani u shpreh e pikëlluar për faktin se ish-sekretarja Amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, e cila vdiq në mars të këtij viti, nuk mund të shohë organizimin e këtij forumi.
"Znjonja Albright ishte planifikuar të jetë folësja kryesore. Albright do të mbetet një figurë historike për këtë vend për kontributin që ka dhënë për sigurinë e paqen", tha Osmani.
Presidentja foli edhe për punën e palodhur që ka bë ish-sekretarja e Shtetit, Medlin Olbrajt për lirinë e Kosovës.
Blinken: Forumi ka dy tema që ishin të rëndësishme për Albright

(E plotësuar) Në hapje të edicionit të parë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, pjesëmarrësve iu drejtua me një video adresim të veçantë edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
Blinken tha se Forumi i organizuar nga presidentja Osmani i bashkon dy gjëra që i kishte shumë për zemër Sekretarja Madeleine Albright, popullin e Kosovës dhe fuqizimin e grave.
Ai kujtoi fjalimin e Albright në Parlamentin e Kosovës më 2005, kur kishte kërkuar që grave t’u jepet më shumë hapësirë në jetën shoqërore.
“Që nga ajo kohë, Kosova ka zgjedhur dy gra në postin e presidentes, dhe më duhet të shtoj se janë dy gra më shumë presidente sesa SHBA-ja”, tha ai.
Ai ka falënderuar presidenten Osmani për organizimin e këtij Forumi dhe NDI-në për mbështetjen e tij. Blinken tha se në vizitën e fundit në Prishtinë, në vitin 2019, Sekretarja Albright ka mbrojtur sërish ndërhyrjen e NATO-s, në Kosovë, më 1999.
“Sekretarja Albright luftoi për angazhimin e grave në të gjitha aspektet e ndërtimit të paqes dhe vendimmarrjes së sigurisë, pjesërisht sepse ajo kishte parë ndryshimin që ndodhte kur atyre u jepej një zë”, tha ai.
Sipas tij Albright ka inkurajuar edhe gratë kosovare, kur më 2005 kishte thënë se e ardhmja e vendit do të varet – në një masë jo të vogël -nga mundësitë që do t`u ofrohen grave të vendit.
Në adresimin e tij, Blinken ka folur edhe për luftën brutale të presidentit Putin kundër Ukrainës.
Kurti është shprehur se pavarësisht arritjeve të gruas në Koosvë, nuk mjafton vetëm pjesëmarrja, por edhe kontributi aktiv.
“Përkundë progresit pozitive qe kemi bërë në shoqëri sfidat janë të mëdha. Si kryeministër shprehi gatishmërinë për përkrahjen e grave në fuqizimin e tyre dhe shtimin e pjesëmarrjes së tyre. Nuk mjafton vetëm pjesëmarrja por kontributi aktiv dhe pjesëmarrja do të thotë se ato kontribuojnë prej kësaj pjesëmarrje', tha Kurti.
Kurti: Gratë kontribuojnë, ato duhet edhe të fitojnë

(E plotësuar) Në hapje të edicionit të parë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili fillon punimet sot në Prishtinë, dhe i cili mbahet me iniciativë të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, pjesëmarrësve iu drejtua edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Pasi falënderoi të pranishmit Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, foli për rolin e çmueshëm të gruas në Kosovë.
Kryeministri i Kosovës tha se gratë në Kosovë kanë kontribuuar për lirinë e vendit. Sipas tij, përkundër ndryshimeve të shumta që janë bërë vërehet se ka mangësi, mund të bëhet më shumë.
Kurti kërkojë më shumë barazi, barazi të plotë të grave, avancim të grave edhe në fushën e sigurisë në vend.
“Angazhimi i grave në Kosovë nuk ka munguar në shtetndërtim dhe mbarëvajtjen e shtetit tonë. Nuk ka garanci më të mirë për paqen e sigurinë përveç nëse kjo realizohet nga burrat e gratë bashkë... Pjesëmarrja e gruas në sigurinë e vendit është e domosdoshme, gratë kontribuojnë ato edhe duhet të fitojnë”, tha Kurti.
"Kur flasim për paqen, përfundojmë duke folur për drejtësi dhe siguri; kur flasim për siguri, përfundojmë duke folur për ekonomi dhe demokraci; kur flasim për demokraci, përfundojmë duke folur për gratë dhe rininë. Andaj, le të ia fillojmë me gratë, vazhdojmë me rininë dhe sigurisht arrijmë paqe dhe siguri", tha Kurti.
Metsola: BE e përkushtuar që gratë të mos mbesin jashtë agjendës së sigurisë
(E plotësuar) Në hapje të edicionit të parë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili fillon punimet sot në Prishtinë, dhe i cili mbahet me iniciativë të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, pjesëmarrësve iu drejtua përmes një video-mesazhi, presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.
Ajo tha se diskutimet që do të zhvillohen në këtë forum janë të një rëndësie të veçantë, duke pasur parasysh situatën me luftën në Ukrainë.
Metsola ka thënë se Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar që gratë të mos mbesin jashtë agjendës së sigurisë së përgjithshme.
“Duhet të bëhemi bashkë për t’i diskutuar sfidat. Ne kemi bërë progres por bota po ndryshon dhe luftërat po vazhdojnë. BE-ja gjithmonë ka qenë e bashkuar për t’i përfshirë gratë në agjendën e sigurimit”, ka thënë Metsola.
Sot nis Forumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë
Përgjatë dy ditëve sa do të zgjasë ky Forum, folës, panelistë e diskutues të tjerë do të debatojnë në temën bosht “Ndërtimi i Aleancave për Paqe të Qëndrueshme”.
Panielistëve do tu drejtohet përmes një video fjalimi edhe sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se temë e këtij forumi do të jetë ndërtimi i aleancave për paqe të qëndrueshme.
“Temë e edicionit të parë të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë do të jetë ndërtimi i aleancave për paqe të qëndrueshme, me të cilën synojmë të reflektojmë mbi sukseset si dhe sfidat e agjendës të Rezolutës 13/25”, ka thënë Osmani.
Sipas saj, Forumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë është edhe platformë për rritjen e ndërgjegjësimit për nevojë për të njohur dhe promovuar aftësitë e grave e vajzave, për të kontribuar në mënyrë thelbësore në proceset e paqes dhe të sigurisë.
Hapjen zyrtare të Forumit ndërkombëtar do ta bëjë presidentja Vjosa Osmani, e cila do të pasohet me një video mesazh nga presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.
Në hapjen e Forumit, në panelin e parë, përpos presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti do të marrin pjesë edhe: presidenti i Maltës, George Wella, zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, zv.kryeministrja, njëherësh ministre për Çështje Evropiane e Malit të Zi, Jovana Marović dhe zëvendëspresidentja e Palaut, J. Uduch Sengebau.
Forumi organizohet në bashkëpunim me zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla Schwarz dhe mbështetet nga partnerë vendorë dhe ndërkombëtarë.























