Kurti pas takimt me Lajçak: Temë, mbarëvajtja e procesit të dialogut
N. Mekolli /RTKlive
(E plotësuar) Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti priti në takimin e radhës, Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
“Mbarëvajtja e procesit të dialogut, elementet e kornizës themelore të marrëveshjes, zbatimi i plotë dhe i shpejtë i udhërrëfyesit për energji dhe çështjet aktuale, ishin temat kryesore të diskutimit”, njofton zyra për komunikim e Kryeministrit.
Bëhet e ditur se kryeministri Kurti e falënderoi emisarin Lajçak për angazhimin e tij në rrugën drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen reciproke në qendër.
Lajçak optimist se Qeveria do ta shqyrtojë kërkesën e BE-së për shtyrjen e afatit për targat

Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë Serbi, Miroslav Lajçak deklaroi për RTK-në se është optimist se Qeveria e Kosovës do të marrë parasysh kërkesën e BE-së për të shtyrë afatin për targa.
“Po të mos isha optimist nuk do të isha këtu.Ishte takim konstruktiv me kryeministrin Kurti”, u shpreh Lajçak i cili po merr pjese në Forumin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, të organizuar nga presidentja, Vjosa Osmani.
Lajçak: Është shumë e rëndësishme që të mos ketë tensione

(E plotësuar) Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë Serbi, Miroslav Lajçak, pas takimit me kryeministrin, Albin Kurti, ka thënë se janë dy vendet që duhet ta përcaktojnë marrëveshjen finale dhe se kjo nuk varet nga ndërmjetësuesit.
Lajçaku e ka quajtur konstruktiv takimin me Kurtin, ai tha se marrëveshjen finale duhet që ta përcaktojnë Kosova dhe Serbia. “Kjo nuk varet nga unë, që të vendos në emër tuajin. Për këtë kemi dialogun”, tha ai.
Lajçak deklaroi se ndër diskutimet që ka pasur me Kurtin ishte edhe propozimi franko-gjerman, por nuk ka dhënë më shumë detaje.
Ai, tha se është shumë e rëndësishme që të mos ketë tensione, teksa afati për riregjistrimin e makinave është paraparë të përmbyllet më 31 tetor.
“Shqetësimi jonë është që të mos kemi tensione apo dhunë në terren, kjo është shumë e rëndësishme sepse nuk është në interesin e Kosovës”, tha Lajçak.
Sipas tij, diskutimi ka shënuar progres, megjithatë nuk ka dashur të komentojë për vendimin e Qeverisë që më 31 tetor të përfundojë afati për kthimin e targave nga ato të Republikës së Serbisë, në RKS.
Lajçak shtoi se diskutimi me Kurtin ishte “konstruktiv dhe i dobishëm”.
Pas takimit me Kurtin, Lajçak do të marrë pjesë edhe në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.
Lajçak arrin në objektin e Qeverisë së Kosovës

Qëndresa Duraku /RTK
(E plotësuar) Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë Serbi, Miroslav Lajçak ka arrit në objektin e Qeverisë së Kosovës me ç’rast është prit nga përfaqësuesit e kabinetit të kryeministrit Kurti, ku me këtë të fundit edhe do të takohet.
Ky takim vjen pak ditë pas vizitës në Kosovë të të dërguarit të posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Ende nuk dihet nëse pas takimit të ketë prononcim për medie.
Vizita e fundit e Mirosllav Lajçakut në Kosovë ishte më 13 tetor.


Kurti pret në takim përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak
RTKlive
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të takojë sot Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
akimi me Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, do të zhvillohet në orën 14:00.
Ky takim vjen pak ditë pas vizitës në Kosovë të të dërguarit të posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.























