Kurti kërkon nga Malta bashkëpunim në ekonomi
BKT
Foto: Qeveria e Kosovës
Lajme

Kurti kërkon nga Malta bashkëpunim në ekonomi

E.Hoti/RTKlive

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka takuar presidentin e Republikës së Maltës, George Vella, i cili por qëndron një vizitë zyrtare në vendin tonë.

Sipas një komunikate për media nga Qeveria e Kosovës, Kurti ka deklaruar se marrëdhëniet e mira ndërmjet Kosovës dhe Maltës duhet të shoqërohen me bashkëpunim edhe më të shtuar në fushën e ekonomisë dhe të shkëmbimeve tregtare, teksa theksoi edhe rolin e rëndësishëm që Malta mund ta luajë në raport me disa shtete mos-njohëse dhe integrimin e mëtejmë të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

“Teksa i uroi mirëseardhje në Kosovë, kryeministri Kurti u shpreh falënderues për mbështetjen në kohë të vështira për vendin dhe mirënjohës për njohjen, përkrahjen në organizata ndërkombëtare, në veçantë gjatë procesit të anëtarësimit në Bankën Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm të Maltës me Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim. 

Ai e njoftoi presidentin Vella për qeverisjen dhe progresin në vend, indikatorët ekonomikë dhe arsyet se pse Kosova paraqet mundësi të mirë për investitorë të huaj. Duke iu referuar të dhënave mbi trendin pozitiv të eksporteve, kryeministri Kurti tha se Kosova synon të bëhet ekonomi dhe vend i orientuar drejt eksportit, ndërkaq duke iu referuar raporteve ndërkombëtare si ai i Transparency International, Reporterëve pa Kufi dhe Projektit të Drejtësisë Botërore (WJP) tha se imazhi i vendit është përmirësuar shumë. 

Tutje në njoftim bëhet e ditur se Vella u shpreh falënderues për mikpritjen. “Mbështetja e Maltës për Kosovën ka qenë përherë e sinqertë dhe se do të vazhdojë të jetë e tillë edhe më tej. Ajo mbështetë plotësisht perspektivën evropiane të Kosovës, konsideron se Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim të vizave dhe është e gatshme që të ndihmojë Kosovën në anëtarësimin e mëtutjeshëm në organizata ndërkombëtare dhe me vendet mos-njohëse. Marrëdhëniet tona dypalëshe nuk kanë kufij”, u shpreh presidenti Vella. 

Njoftohet se në takim gjithashtu u fol edhe për bashkëpunimin rajonal, Procesin e Berlinit, perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, ballafaqimin me krizën evropiane energjetike dhe sigurinë e rajonit e të kontinentit pas agresionit të provokuar të Federatës Ruse ndaj Ukrainës.

 

 


MË SHUME NGA Lajme