Lugina e Preshevës koordinon politikën me Kosovën
BKT
Foto/ Presidenca e Kosovës
Lajme

Lugina e Preshevës koordinon politikën me Kosovën

Jeton Musliu/RTKlive

(Plotësuar) Vetëm disa ditë pas vizitës në SHBA dhe procesit që ende po vazhdon për regjistrimin e popullsisë në Serbi, përfshirë Luginën e Preshevës, Shaip Kamberi, deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, erdhi për vizitë zyrtare në Kosovë.

Ai u prit në takim nga presidentja e shtetit, Vjosa Osmani-Sadriu.

Kamberi deklaroi se në takim me presidenten Osmani, bisedoi për procesin e regjistrimit të popullsisë, diskriminimin dhe domosdoshmërinë e përfshirjes së Luginës së Preshevës ne bisedimet me Serbinë.

“Koordinimi i politikës shqiptare në Luginë të Preshevës me institucionet e Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë është rruga e vetme e mbrojtjes së interesave shqiptare në Luginë”, ka shkruar Kamberi në llogarinë e tij në Facebook.

Javë më parë, kryetari i Këshillit të Shqiptarëve në Luginën të Preshevës, Ragmi Mustafi, bashkë me deputetin shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberin, kanë pasur vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Osmani apel shqiptarëve të Luginës: Regjistrohuni masovikisht

Muharrem Miftari/RTKlive 

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u ka bërë thirrje shqiptarëve të Luginës së Preshevës që t`i përgjigjen sa më masovikisht regjistrimit të popullsisë, i cili është i hapur deri në fund të këtij muaji.

Sipas presidentes Osmani, pjesëmarrja sa më masive në regjistrim “është masë kundrejt politikës shoviniste të Serbisë, e cila po përpiqet të realizojë spastrim etnik nëpërmjet masave administrative”.

Këto deklarata presidentja Osmani i bëri gjatë një takimi që zhvilloi me përfaqësuesit e shqiptarëve nga Presheva, Medvegja e Bujanoci. Ajo, me këtë rast, tha se regjistrimi masiv nënkupton edhe fuqizimin politik e institucional të shqiptarëve atje.

Presidentja, ndërkaq ofroi mbështetjen e institucioneve të Kosovës dhe të përfaqësive diplomatike për të bërë thirrje për regjistrim tek të gjithë shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës që jetojnë në Kosovë apo në vende të tjera, thuhet në një komunikatë lëshuar nga Presidenca e Kosovës.

Për këtë frymë, Osmani ka bërë thirrje për unifikimin e faktorit shqiptar për çështjet prioritare me të cilat ballafaqohen shqiptarët për t`i eliminuar pengesat që po i bën Serbia në procesin e regjistrimit.

“Në të gjitha takimet me përfaqësues ndërkombëtarë në vazhdimësi presidentja Osmani ka ngritur problemet me të cilat përballen shqiptarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, si pasojë e politikës së Qeverisë së Serbisë, duke synuar ndërkombëtarizimin e kërkesave për të drejtat e shqiptarëve”, thuhet me tej në komunikatën e Presidencës.

Në këtë kontekst, ajo ka potencuar rëndësinë e bashkëveprimit në mes institucioneve të Republikës së Kosovës dhe përfaqësuesve shqiptarë nga Presheva, Medvegja e Bujanoci për trajtimin e të gjitha problemeve me të cilat përballen shqiptarët në këtë rajon.


MË SHUME NGA Lajme