Kosova drejtë BE-së, diskutim mes Bislimit e Komitetit Evropian të Rajoneve
Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka pritur në takim një delegacion nga Komiteti Evropian i Rajoneve i kryesuar nga Nikola Dobroslaviç.
Në këtë takim mes dy palëve u bisedua mbi avancimin e Kosovës në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe progresin e arritur.
“Kryesuesi i këtij delegacioni tha se e mbështet rrugëtimin e anëtarësimit në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku nevojitet përmbushja e reformave dhe arritja e standardeve të BE”, thuhet në njoftimin e qeverisë.
Kreysuesi i delegacionit të këtij Komiteti ka thënë se sheh zhvillime pozitive në Prishtinë, derisa ai shpreson që Kosova t’i arrijë objektivat e saj.
Ndërkohë numri dy i qeverisë kosovare ka folur mbi agjendën evropiane të vendit dhe hapat që po ndërmerren në rrugëtimin drejt BE.
Bislimi ka treguar objektivin e Kosovës për aplikimin për anëtarësim në BE, me qëllim marrjen e statusit të vendit kandidat dhe përkushtimin në përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave.
“Zëvendëskryeministri Bislimi theksoi se Kosova gjendet në një trajektore të re të zhvillimit, e cila u reflektua dhe në raportin më të fundit për vendin të Komisionit Evropian”, thuhet tutje në njoftimin për takim.
Bislimi e ka quajtur si raportin më të mirë të prodhuar ndonjëherë për Kosovën, ndërsa ka thënë se në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor ishte raporti me progresin më të lartë për vitin 2022.
Në vijim, u diskutua dhe mbi mundësitë e rritjes së bashkëpunimit mes Kosovës dhe CoR, përmes përfshirjes së Kosovës në raportimet, opinionet dhe publikimet e këtij Komiteti në fusha të ndryshme.
CoR ka një rol statutor në politikën e zgjerimit të BE-së nëpërmjet Marrëveshjeve të Stabilizim Asocimit duke krijuar Komitete të Përbashkëta Konsultative për të nxitur dialogun dhe bashkëpunimin ndërmjet autoriteteve lokale dhe rajonale në BE dhe vendet në zgjerim, dhe për t'i mbështetur ato në rrugën e tyre drejt BE.
Nesër do të mbahet Grupi Punues për bashkëpunimin e Komitetit Evropian të Rajoneve me Ballkanin Perëndimor, për të adresuar sukseset, sfidat dhe përfshirjen e Komunave të Kosovës në kuadër të përmbushjes së agjendës evropiane.























