Shqipëria miraton rritjen e çmimit për fashën 800 kWh
rtsh.al
Ministrja e Energjisë, njëkohësisht zv/kryeministre Belinda Balluku ka reaguar pas vendimit të ERE për vendosjen e çmimit të ri për energjinë mbi fashën e konsumit 800 kWh, për muajin nëntor- dhjetor.
Nga Dibra, Balluku tha se aplikimi nëse do të rritet apo jo fasha e re energjisë nuk është vendosur akoma pasi siç ajo shpjegon ERE vetëm miraton çmimet, ndërsa vendimi për aplikim i takon qeverisë.
Për më tepër, Balluku shton se aplikimi i këtyre çmimeve do të varet nga shifrat e javës së parë të nëntorit, pasi priten reshje shiu, çka do të sillte që Qeveria të mos e aplikojë as për muajin nëntor fashën 800 kilovatë.
Ndër të tjera Balluku tha se qytetarët janë sensibilizuar duke konsumuar 5% më pak krahasurar me tetorin e vitit të kaluar, që për ministren është një tjetër arsye për mos aplikim të fashës 800 kilovatë.
“Qeveria jo vetëm subvencionon energjinë. E kemi përsëritur pavarësisht dezinformimit, i cili ndodh në mënyrë të rregullt në media. Para pak doli çmimi i ri i ERE dhe të gjitha televizionet thonë se u vendos rritja e çmimit të energjisë.
E kemi shpjeguar disa herë, ERE miraton çmimet, aplikimi nëse do të rritet apo jo i përket qeverisë. Ne dhe për muajin tetor jemi duke pritur të gjitha të dhënat në bazë të konsumit, i cili është ulur. Shqiptarët janë sensibilizuar dhe kanë konsumuar 5% më pak krahasurar me tetorin e vitit të kaluar.
Po ashtu kemi të dhëna se në javën e parë të nëntorit do kemi reshje në zonën e kaskadës së Drinit. Çka do të sillte që Qeveria të mos e aplikojë as për muajin nëntor fashën 800 e cila nuk është rritje çmimi, por përfundimi i mburojës për të gjithë shqiptarët.
Ne mbulojmë 1 milionë e 90 mijë abonentë familjarë me një mburojë sociale, energjetike e cila ka nisur nga shtatori i 2021. Ky është muaji i 14-të që qeveria kompenson çdo abonent familjar e rritjes së çmimit. Por ne do ta vazhdojmë ta mbrojmë konsumatorin” sqaroi ministrja Balluku.
Më herët Enti Rregullator i Energjisë njoftoi se në muajin nëntor dhe dhjetor, do të aplikohet çmimi 44 lekë për kilovat mbi fashën 800 kilovatë.























