Rama: Grevë urie për rritje rrogash bëjnë vetëm rublaxhinjtë
ATSH
Kryeministri Edi Rama reagoi sot pas deklaratave të një grupi pedagogësh që protestojnë për rritjen e rrogës, të cilët kanë paralajmëruara se do të hyjnë në grevë urie nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre.
“Shiksi i NonGratës paska marrë urdhër për t’i dhënë ultimatum qeverisë me grevë urie të pedagogëve! Grevë urie për rritje rrogash bëjnë vetëm njerëz pa fe e pa atdhe, rublaxhinj pa din e pa iman, foltorexhinj e baltaxhinj që vetëm Shqipërisë e shqiptarëve nuk i shërbejnë”, shkruan Rama në rrjetet sociale.
Më herët sot, kreu i sindikatës së pedagogëve, Sandër Kovaçi tha se qeveria ka kohë deri nesër në orën 16:00 për t’iu përgjigjur kërkesave të tyre, ndryshe do të hyjnë në grevë urie.
Në 5 tetor, Qeveria vendosi që të rrisë me 15% pagën e pedagogëve, ku 7% do të mbulohet nga buxheti i shtetit dhe 8% do të mbulohet nga vetë bordi i administrimit.
Deri tani këtë vendim e ka marrë Universiteti i Mjekësisë si dhe Universiteti i Tiranës.























