Zulfaj: Kosova kërkoi në samit anëtarësim në organizatat rajonale
BKT
Foto: RTKlive
Lajme

Zulfaj: Kosova kërkoi në samit anëtarësim në organizatat rajonale

Muharrem Miftari/RTKlive

Për më shumë se dy vjet është negociuar për marrëveshjet e nënshkruara në samitin e Procesit të Berlinit. Kështu deklaroi Jeton Zulfaj, këshilltar politik i kryeministrit Albin Kurti, në emisionin “RTK Prime”.

Ai tha se kjo është bërë natyrisht me shtytjen e vendeve të BE-së, ndërsa bashkëpunimi rajonal bëhet me dëshirë të palëve, e jo me dhunë.

“Ndaj shpresojmë se palët që kanë nënshkruar këto marrëveshje do të jenë konstruktivë dhe do t`i zbatojnë”.

“Në marrëveshjet e nënshkruara sot, mundësohet  lëvizja e lirë e njerëzve, me letërnjoftime  ndërmjet gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, ku hiqet edhe regjimi i vizave në mes Bosnjës e Hercegovinës dhe Kosovës e që pas ratifikimit të marrëveshjeve mes të dy vendeve dhe dorëzimit në Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal, kjo marrëveshje do të hyjë në fuqi”, deklaroi këshilltari i kryeministrit Kurti, Jeton Zulfaj, në “RTK Prime”. 

Tutje, ai përmendi dhe marrëveshjet tjera që kanë të bëjnë më njohjen arsimit me kualifikim të lartë, gjithashtu janë të rëndësishme, sepse sipas tij, kështu mundësohet thjeshtësimi i procedurave të njohjes së diplomave, ku mundësohet ushtrimi i profesionit me kërkesa të njëjta, sikurse kërkohet nga vendi i origjinës, pra liberalizimi i tregut mes këtyre vendeve.

Zulfaj u shpreh optimist në zbatimin e marrëveshjes, ngase- “Gjermania, si nismëtare e nikoqire e këtij samiti, do të jetë në gjendje t'i shtyjë përpara proceset në rast të ndonjë pengese të paraqitur gjatë zbatimit të marrëveshjes.”

Tutje Zulfaj bëri të ditur se në samit janë trajtuar tri tema: njëra ka të bëjë me bashkëpunimin rajonal, ku kryeministri ka kërkuar që Kosova të anëtarësohet në organizata rajonale e ku nuk është anëtare dhe ka adresuar çështjen që Kosova nuk është trajtuar si e barabartë në organizata ku është anëtare. “Në sesionin e dytë është trajtuar çështja e energjisë, ku kryeministri ka kërkuar edhe investime; ndërsa në sesionin e tretë është trajtuar e ardhmja e Procesit të Berlinit”.

Ndërkaq, për ngjarjet e ndodhura në vend, Zulfaj theksoi mbështetjen e institucioneve të vendit në veprimin e tyre në secilin rast e që ka të bëjë me respektimin e sundimin e ligjit.

E lidhur me nismat “Procesi i Berlinit” dhe "Ballkani i Hapur”, nëse pengojnë apo komplementojnë njëra-tjetrën, këshilltari i kryeministrit Kurti shpjegoi se katër liritë e BE-së do të jetësohen në kuadër të tregut të përbashkët rajonal, që të ecet më tutje drejt anëtarësimit në BE, pra që konvergjenca që ka me BE-në të përshpejtohet.

Zulfaj, më tej,  bëri të ditur se Shqipëria do të ketë kryesinë e  nismës së  Procesit të Berlinit që do të mbahet në vitin e ardhshëm, dhe do të bashkëpunohet ngushtë që të ecet përpara në bashkëpunimin rajonal në kuadër të “Procesit të Berlinit” .

Më tej ai përmendi edhe investimet e ndihmat ekonomike që do të ofrohen Kosovës, qoftë nga IPA, qoftë nga plani ekonomik  në dy dekadat e ardhshme, në rast se vendet kanë bashkëpunim ndërmjet veti.

 


MË SHUME NGA Lajme