Sulmi kibernetik, Rama: Rezistuam tek shërbimet
ATSH
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në një intervistë se shërbimet digjitale në shërbim të qytetarëve i rezistuan sulmit kibernetik të Iranit, ndërsa në pjesët e tjera kemi trashëguar një sistem kioskash pseudodigjitale.
Duke folur për sulmin kibernetik nga Irani, Rama u shpreh se, “Shqipëria u sulmua shumë egërsisht. Nuk është vendi i vetëm. Sulmohen me mjetet e kibernetikës të gjitha vendet, sot është një problem i madh i vendeve të NATO-s”.
Rama theksoi se, “ne në atë pjesë të sistemit ku jemi investuar shumë fort për t’u dhënë qytetarëve shërbime pa bakshish, pa radhë apo stres, kemi rezistuar më së miri. Flas për platformën e shërbimeve online”.
“Në pjesët e tjera jemi qartësisht më të prapambetur nga pikëpamaja e investimeve. Kemi trashëguar një sistem kioskash pseudodigjitale. Siç mesa duket është edhe rasti i Shërbimit Informativ, ku ne si qeveri s’kemi pasur asnjëherë, fare, asnjë lloj interference”, u shpreh Rama.
“Shërbimi operon në mënyrë krejtësisht autonome së brendshmi. Të gjitha janë sisteme të tyre. Që do të thotë që kemi ende shumë për të bërë”, u shpreh Rama.
“Flas për sistemet dixhitale nuk flas për shërbimin në vetvete. Shërbimi ynë informativ ka vlerësimet më të mëdha në atë pjesë të punës që ka të bëjë me bashkëpunimin me partnerët tanë ndërkombëtarë. Dhe janë vlerësime jo nga unë, por nga partnerët, për atë pjesë. Për pjesën tjetër shërbimi është realisht një strukturë problematike etj.”, u shpreh Rama.
“Vetëm këtu mund të ndodhë, unë nuk di të ndodhë në vend tjetër që forcat që i thonë vetes opozitë e vendit të ekzaltohen në pikën që informacionet e nxjerra nga hakerët e një vendi aspak dashamirës për ta thënë me fjalë të buta, armiqësor ndaj vendit tonë, në pikën që pa bërë asnjë verifikim, pa marrë asnjë minutë, hidhen përpjetë dhe flasin për 22 milionë euro të shpenzuara me çartera etj.”, theksoi Rama.























