BE-ja mbështet Kosovën drejt energjisë së gjelbër bashkë me Gjermaninë
Behare Bajraktari/ Radio Kosova
Derisa Kosova ka mbi 250 ditë me diell ku mund të përfitohej energji të ripërtërishme, kjo do të jetë edhe rruga e Gjermanisë si lider në këtë fushë.
Ashtu edhe siç deklaroi ministrja gjermane për Evropë dhe Klimë se duhet të prodhohet në një kohë shumë të shkurtër energjia diellore dhe kjo madje do të mbetet mënyra si parathënie që të arrihet një tranzicion nga bashkëprodhimet në energjinë e rinovueshme, e që është rruga që po ecë në tërësi BE-ja dhe se si ka vendosur të përballet me thëngjillin.
Sipas ministres për Evropë dhe Klimë, znj. Anna Lühermann, “ Në Gjermani kemi planifikuar të jemi 100% të rinovueshëm deri në vitin 2034 ndër vendet më të larta industriale dhe mendoj, se çfarë mund të bëhet në Gjermani, mund të bëhet edhe këtu, sepse ju në Kosovë në fakt keni më shumë rreze dielli sesa në Gjermani.
Kështu që për ne për përgjigjen ndaj krizës së energjisë, problemi me të cilin përballemi tani është të përshpejtojmë kalimin në energji të rinovueshme për të investuar më shumë në të, për ta bërë më të përdorur për çatitë e ndërtesave për energji diellore si dhe për ta shfrytëzuar tokën si kjo që qëndrojmë këtu” tha Lühermann .
Gjithashtu, ministrja e Shtetit për Evropë dhe Klimë gjatë qëndrimit të saj dy ditor në Prishtinë takoi kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti. Në këtë takim, sipas një deklarate për medie, u fol për energjinë dhe çështjen e liberalizimit të vizave ndër të tjera.
Kryeministri citohet që në këtë takim ka thënë se investimet e huaja direkte dhe eksportet po vazhdojnë trendin pozitiv të rritjes, ndërkaq që raportet ndërkombëtare si ai ‘Transparency International’ dhe ‘Reporterëve pa Kufi’ dëshmojnë përmirësimet në treguesit demokratikë dhe janë referencë që imazhi i vendit është shumë më i mirë se ç’ka qenë.
Nga ana tjetër ministrja e Shtetit në Ministrinë e Jashtme Federale, znj. Anna Lühermann, paraprakisht kishe takuar në një drekë pune në Prishtinë ministren e Ekonomisë, znj. Artane Rizvanolli, dhe zëvendësministren e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, znj. Linda Çafdërbasha, anëtarë të shoqërisë civile dhe gazetarë të mjedisit.
Foto: Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë
( Ministrja Rizvanolli, përkundër pritjes më shumë se një javë, nuk i është përgjigjur thirrje sonë për një intervistë të shkurtë për çështjet e energjisë si tërësi dhe takimi me Ministren Lühermann.)
Gjatë vizitës së saj, Lühermann, dëgjoi këndvështrime të ndryshme për çështje të ndryshme të mjedisit në Kosovë, politikat nacionale për mjedisin dhe ndryshimet klimatike, mbrojtja e mjedisit, mbrojtja e pyjeve, energjia e rinovueshme si dhe pengesat që hasin investitorët privatë në Kosovë për ndërtimin e paneleve solare, energjinë e erës si dhe burokracitë në dhënien e licencave ku shumë investitorë të huaj dhe vendorë janë duke pritur.
Ligji për Burimet e Energjisë së Ripërtërishme, tarifat dhe ankandet
Burim Ejupi, nga INDEP, është mjaft kritik për sa i përket mosmiratimit të ligjit për Burimet e Energjisë së Rinovueshme të cilin e konsideron bazë për investime dhe se e përcakton mënyrën e ankandeve.
“Dihet që deri në vitin 2019 në Kosovë ka qenë tarifa nxitëse ajo që investitorët të investojnë në Burime të Ripërtërishme të Energjisë, sidomos me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë. Ndërsa tash ankandet janë forma më e re ku investitorët do të ofertojnë çmimet që shteti do t’i blejë Burimet e Rinovueshme të Energjisë nga ata, ndërsa me tarifat nxitëse, shteti përcaktonte tarifat dhe investitorët e kanë shikuar biznes-planin dhe kanë ofertuar. Tash kjo puna e ankandeve po del që të jetë shumë më e suksesshme se tarifat nxitëse, për arsye se nëse e shikojmë Maqedoninë, Shqipërinë, vendet e rajonit dhe vendet në të gjithë botën, e shohim se investitorët me çmimet që ofrojnë janë shumë më të leverdishme për shtetin në të cilin investohet’, tha Ejupi për RTK-Radio 1.
Burim Ejupi theksoi që në Shqipëri çmimi për energji solare përmes ankandeve ka shkuar rreth 36 euro për MËh, dhe nëse e marrim për bazë çmimin e Shqipërisë e vërejmë se çmimet përmes ankandeve janë shumë më të favorshme si për konsumatorët ashtu edhe për investitorët.
Ejupi konsideron se ligji për BRE-në, është baza që përcakton normat dhe kushtet si dhe më lehtë e ka edhe qeveria edhe akterët e tjerë në fushën e energjisë, siç janë KOST-i dhe ZRR-ja, që të procedojnë me ankande.
Ndërsa Lulzim Syla, nga një kompani për energji solare, tha se “Ligji i ri, sigurisht që do t’i avanconte ose do t’i eliminonte disa burokraci, por jo domosdoshmërish ligji i ri është hendikep për të investuar në projekte të energjisë së ripërtërishme”.
Syla thotë se duhet të jemi të sinqertë se edhe në botën perëndimore qoftë në shtete evropiane apo në SHBA, projekte të tilla nuk mund të realizohen shpejt duke pasur parasysh aspektin teknik dhe financiar, asnjë projekt s’mund të realizohet brenda 6 muajve apo brenda një viti.
Kosova, rajoni dhe nevoja për udhërrëfyes
Për fat të mirë udhërrëfyesit ekzistojnë në shtetet e regjionit, siç është udhërrëfyesi i Maqedonisë së Veriut, tha Syla, i cili edhe pse është i vjetër është një udhërrëfyes i mirë që ekziston që prej vitit 2014. Është një udhërrëfyes i thjeshtë i cili për çdo investitor, qoftë i vogël, i mesëm apo i madh, e ka mundësinë që të dijë se cilët hapa duhet të ndjekë, cilat janë sfidat, dokumentet, pagesat dhe afati kohor që duhet ndjekur që investitori ta dijë paraprakisht.
“Edhe në Gjermani qoftë për edhe për një projekt të vogël 3 megavat për energji solare apo me erë, minimum merr 6 - 18 muaj, varësisht nga niveli i komunës, niveli i tokës, niveli i përgatitjes profesionale”, tha Syla.
Për çështjen e investimeve në takimin ndërmjet kryeministrit Kurti dhe ministres gjermane për Evropë dhe Klimë, Lühermann, sipas një komunikate për medie ata folën edhe për energjinë si çështje me shqetësim për të gjithë kontinentin e Evropës.
Krahas planeve afatgjate për tranzicionin e drejtë energjetik dhe investimeve në burimet e ripërtërishme të energjisë elektrike, kryeministri Kurti vendosi theksin te rëndësia e zbatimit të plotë dhe të shpejtë të udhërrëfyesit për energji të dakorduar në Bruksel, ndaj të cilit Republika e Kosovës dhe institucionet vartëse kanë treguar përgjegjshmëri të lartë, duke përmbushur obligimet që u kanë takuar dhe ballafaqimin me këtë dimër.
Kryeministri Kurti gjatë takimit me Ministren e Jashtme të Gjermanisë Annalena Baerbock në fillim të këtij vitit ka deklaruar se: ”Kosova duhet të përfitojë më shumë nga fondet e Bashkimit Evropian në infrastrukturë, në energji dhe në projekte zhvillimore. Gjermania si anëtare me ndikim të madh brenda BE-së mund të na ndihmoj më shumë në këtë drejtim dhe këtë e kam kërkuar nga ministrj Barbock. Në fushën e energjisë jam i lumtur të shoh që synimet tona përputhen, veçanaërisht sa i përket nevojës për të gjetur m,udnësi për furnzimim për furnizim të pavarur dhe të qëndruehëm. Ne jemi të përkushtuar për zbatimin e Agjendëës së Gjerlbër për Ballkanin Perëndimorë që përfshinë dekarbonizmin, ekonominë qarkore, masat kundër mbrotjjës, ushqim të sigurt dhe mbrojjtjen e ekosistemit tonë”.
Foto: Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë
Derisa Kosova ta ketë një udhërrëfyes apo ligjin për Burimet e Energjisë së Ripërtërishme, kursimi i energjisë duhet të jetë përparësi për të gjithë
Pas investimeve në energji të gjelbër si përparësi të parë, ministrja gjermane e konsideron kursimin e energjisë si “Prioriteti i dytë edhe për këtë dimër, ndoshta edhe për dimrin e ardhshëm, është për të siguruar që do të jemi në këtë dimër në solidaritet me njëri-tjetrin në Evropë dhe njëkohësisht i kemi të gjitha këto diskutime në procesin e Berlinit që do të bëhen në Samit, tha Lühermann, dhe e treta, në muajin nëntor kjo do të jetë gjithashtu shumë më e lartë në agjendë, dhe unë pres që së bashku me Komisionin të gjithë të gjejmë edhe disa mënyra të mbështetjes së vendeve të Ballkanit Perëndimor për ta kapërcyer këtë dimër, por përsëri, kjo mund të ndodhë vetëm nëse fillojmë të kalojmë në burime të rinovueshme si dhe duke ulur konsumin e energjisë, tha gjatë qëndrimit të saj në Prishtinë.
Përveç Europës janë dhe milionat amerikanë për Kosovën
Këtyre ditëve të muajit tetor në Prishtinë përveç gjermanëve për vizitë ishte edhe amerikania kryeshefja ekzekutive e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Alice Albright ( E bija e ish-sekretares së SHBA-së të ndjerës Madeleine Albright).
“Partneriteti i MCC-së me Kosovën filloi në vitin 2017 me nënshkrimin e programit të Pragut në Kosovë të MCC-së, pra, dhe ky është programi që jemi mbledhur sot që ta shënojnë përfundimin e tij, tha Albright. MCC dhe Qeveria e Kosovës punuan për të promovuar përdorimin më efiçient të furnizimeve ekzistuese të energjisë dhe për të forcuar llogaridhënien dhe transparencën e institucioneve qeveritare që ofrojnë shërbime për qytetarët e vendit. Programi i Pragut të MCC-së ka punuar për të krijuar një bazë mbi të cilën Qeveria e Kosovës mund të vazhdojë të ndërtojë një të ardhme më të ndritshme dhe me energji me efiçiente për të gjithë kosovarët”, theksoi ajo.
Në dhjetor 2018, Bordi i Drejtorëve të MCC-së zgjodhi Kosovën për të zhvilluar një program kompakt ndërsa vendi vazhdoi të zbatojë një program të vazhdueshëm të pragut. MCC dhe Qeveria e Kosovës përditësuan dhe riafirmuan qasjen në energji të besueshme dhe të përballueshme si pengesë për rritjen ekonomike të Kosovës.
Gjatë dy viteve të fundit, MCC ka punuar me qeverinë kosovare dhe palët e tjera të interesit për të zhvilluar një program të fokusuar në sektorin energjetik të Kosovës. MCC dhe Qeveria përfunduan studimet e parafizibilitetit në vitin 2020 për t’i vlerësuar tri projekte të propozuara: zhvillimin e sektorit të gazit natyror të Kosovës, krijimin e rezervave energjetike për balancimin e sistemit energjetik ,dhe përmirësimin e shpërndarjes së energjisë elektrike. Pas shqyrtimit të rezultateve të studimeve, qeveria kërkoi të ecë përpara me zhvillimin e sektorit të gazit dhe krijimin e rezervave energjetike me synimin për të lehtësuar integrimin e burimeve të rinovueshme, për të lehtësuar varësinë e Kosovës nga qymyri dhe për të arritur qëllimet e dekarbonizimit.
Për Kosovën nga presidenti i SHBA-së, Joe Biden, u ndanë 200 milionë dollarë, së paku
Foto: Behare Bajraktari – Vizita e Ministres Anna Lühermann në Kosovë
Agjenda e gjelbër e BE-së pas pushtimit të Ukrainës u fokusua në energji dhe siguri
Ashtu si amerikanët edhe evropianët për sa i përket ‘Agjendës së gjelbër’ kanë zgjedhur rrugën e bashkëpunimit, në veçanti pasi ta kuptojnë çfarë ngjarjesh të reja do të vijnë pas krizës së luftës, të gazit, të energjisë dhe të çështjeve të tjera ndër-kontinentale.
Por një gjë është e sigurt, që edhe në këtë vizitë të znj. Lühermann ,vërehej serioziteti gjerman për politikat e Kosovës, në veçanti politikat e gjelbra, burimet natyrore.
“Po, patjetër! Tashmë ne bashkëpunojmë me Kosovën në këtë projekt dhe po ashtu jemi qartazi në diskutime me Qeverinë e Kosovës për të bashkëpunuar edhe më tej”, tha Lühermann. Por, sipas saj, sigurisht që ka nevojë edhe Kosova të jetë e qartë dhe e përkushtuar për t’u larguar nga thëngjilli. Sepse kjo është rruga e së ardhmes që ne të gjithë do ta përmirësonim cilësinë e ajrit, do t’i përmirësonim gjithashtu objektivat klimatike dhe do të kontribuonim në reduktimin e ngrohjes globale. Në këtë kontekst, jemi të gatshëm të punojmë më shumë me Kosovën”, tha përfaqësuesja e shtetit gjerman për Evropë dhe për Klimë.
Ndërsa po hyjmë në ditë të ftohta që mund të sjellin mungesë të energjisë elektrike, askush nga zyrtarët e institucioneve të Kosovës nuk po e ngrit shqetësimin për pasojat që do të sjellë ndotja e ajrit nga rritja e djegies së karburanteve fosile.
Nga ana tjetër këto ditë Brukseli ka propozuar rregulla të reja dhe më të rrepta për cilësinë e ajrit që synon ta sjellë BE-në më afër standardeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) deri në vitin 2030 me ambicien e ndotjes zero deri në vitin 2050. Nga ndotja e ajrit sipas Bankës Botërore, vdesin rreth 760 njerëz para kohe çdo vit në Kosovë.























