Në Leposaviq i vihet zjarri një objekti, pronë e një zyrtari policor
A.Bela / RTKlive
Policia e Kosovës, njofton se me datën 06.11.2022, rreth orës 04:00 (pas mesnate) ka pranuar një informacion për djegien, vënien e zjarrit ndaj një objekti (shtallë), pronë e një kosovari nga komuniteti serb, me banim në Donje Kërnjen nga Komuna e Leposaviqit.
"Njësiti policor ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë veprimet e nevojshme policore, përderisa Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore, në hetimin dhe zbardhjen e këtij rasti dhe të rasteve të tjera të zjarrvënieve, të ndodhura dhe të orientuara ndaj pronave private", njofton Policia e Kosovës.
Policia e Kosovës do të kujdeset në ofrimin e sigurisë ndaj qytetarëve pa dallime, në ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, zbulimin e akteve të tilla kriminale dhe sjelljen para organeve të drejtësisë së kryerësve të këtyre veprave kriminale.























