Pas dorëheqjes, Kuvendi freskon faqen, largon deputetët e Listës Serbe|Foto
Jeton Musliu/RTKlive
(Plotësuar) Janë hequr nga faqja e Kuvendit të Kosovës, emrat e dhjetë deputetëve të Listës Serbe.
Vetëm disa minuta pasi Zyra për Media e Kuvedit të Kosovës njoftoi zyrtarisht se këta deputetë kanë dhënë dorëheqje duke dorëzuar mandatet e tyre, faqja zyrtare e Kuvendit të Kosovës ka rifreskuar të dhënat, raporton RTKlive.
Kështu, në listën e deputetëve të Grupit Parlamentar të Listës Serbe, tanimë figuron vetëm deputeti goran, Adem Hoxha.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Adem Hoxha, i është bashkuar Listës Serbe në nëntor të vitit 2020, pas largimit të tij nga Grupi Parlamentar, 6+.
Që nga ajo kohë e deri më sot Lista Serbe kishte 11 deputetë.
Kështu dukej Grupi Parlamentar me deputetët e Listës Serbe në faqen e Kuvendit të Kosovës, para se ata të japin dorëheqje.

Kështu duket Grupi Parlamentar pa deputetët e Listës Serbe në faqen e Kuvendit të Kosovës, pasi ata kanë dhënë dorëheqje.
ZYRTARE| Dhjetë deputetë të Listës Serbe japin dorëheqje
Tashmë edhe zyrtarisht me një njoftim për media nga Drejtoria për media dhe marrëdhënie me publikun e Kuvendit të Kosovës, është konfirmuar se deputetët e Listës serbe kanë dhënë dorëheqje.
“Dhjetë deputetë të Listës serbe dorëzojnë dorëheqje të parevokueshme”, shkruan në njoftimin zyrtar të Kuvendit.
“Njoftojmë se 10 deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga subjekti politik parlamentar Lista serbe, kanë dorëzuar dorëheqje të parevokueshme”.

Deputetët e Listës Serbe dorëzojnë mandatet në Kuvend
Deputetët e Listës Serbe të hënën (sot) i kanë dorëzuar mandatet e tyre në Kuvendin e Kosovës.
Lajmi është konfirmuar nga shefi i kabinetit të kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, Ilir Kërçeli, i cili ka sqaruar se dorëzimin e ka pranuar zyrtarisht nga administrata.
Ndërkohë, zyrtarë të Kuvendit deklarojnë për RTKlive se shumë shpejt, njoftimi zyrtar në lidhje me këtë çështje do t’u shpërndahet mediave.
Lista Serbe të shtunën njoftoi për largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës.
Këtë vendim ata e morën pasi autoritetet e Kosovës suspenduan drejtorin e Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për shqiptim të gjobave, për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.























