Shqipëria, ndër 5 vendet e para në botë për balancën gjinore në qeveri
BKT
Shqipëri

Shqipëria, ndër 5 vendet e para në botë për balancën gjinore në qeveri

ATSH

Ministrja për Evropën dhe Punët e jashtme, Olta Xhaçka deklaroi sot se, Shqipëria renditet ndër 5 vendet e para në botë sa i takon balancës gjinore në qeveri.

Në takimin “Gratë, Paqja dhe Siguria” të mbajtur në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, ku ishte e pranishme edhe anëtarja e kabinetit të presidentit të SHBA Joe Biden, ambasadorja Linda Thomas – Greenfield, përfaqësuese e SHBA në OKB dhe Këshillin e Sigurimit, Xhaçka u shpreh se, gjatë dekadës së fundit, është shënuar një progres i konsiderueshëm sa i takon barazisë gjinore.

“Sot Shqipëria renditet ndër 5 vendet e para në botë sa i takon balancës gjinore në qeveri. Barazia gjinore është bërë pjesë e parimeve të qeverisë shqiptare në procesin e planifikimit dhe buxhetimit”, tha Xhaçka.

Xhaçka u shpreh se, “qeveria shqiptare ka nisur përgatitjen e Planit të dytë Kombëtar të Veprimit për zbatimin e Rezolutës 1325. Nëpërmjet kësaj, Shqipëria do të kërkojë të zgjerojë më tej pjesëmarrjen e grave në çështjet e politikës së jashtme, paqes dhe sigurisë globale”.

Xhaçka theksoi se, “angazhimi ynë në OKB e në KS, është kontribut i rëndësishëm që vendi ynë jep për këtë axhendë ndërkombëtare. Angazhimi ynë për këtë axhendë, një impuls i vlefshëm për kauzën e grave dhe vajzave në vendin tonë”.

Xhaçka u shpreh se, “bashkëpunimi i shkëlqyer në KS është kontribut në konsolidimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik Shqipëri-SHBA. Partneriteti mes nesh bazohet mbi vlera dhe interesa të përbashkëta që informojnë punën tonë. Zbatimi i plotë i axhendës “Gratë, Paqja dhe Siguria”, në krye të prioriteteve të Shqipërisë në KS”.

“Fakti që lufta në Ukrainë ka marrë kaq shumë vëmendje, nuk do të thotë që e kemi lënë pas dore këtë axhendë”, theksoi Xhaçka.

Xhaçka shtoi se, “ne i kemi kushtuar një vëmendje të veçantë situatës së grave dhe vajzave të prekura nga lufta dhe konflikti”.

Xhaçka u shpreh, “krenare që misionet tona bashkëorganizuan një veprimtari të suksesshme dedikuar situatës së grave e vajzave në Iran”.

“Gjatë 10 muajve në KS, kemi përkrahur pjesëmarrjen e plotë dhe të barabartë të grave në përpjekjet për garantimin e paqes dhe sigurisë. Kemi këmbëngulur për të përfshirë Axhendën “Gratë, Paqja e Siguria” në të gjithë spektrin e punës së Këshillit”, tha më tej Xhaçka.

Ministrja shtoi se, “kemi ende punë për të bërë për të garantuar të drejtat e vajzave e grave në Shqipëri. Gjatë dekadës së fundit, është shënuar një progres i konsiderueshëm”.


MË SHUME NGA Shqipëri