Nesër seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit për situatën energjetike
BKT
Foto: RTKlive
Lajme

Nesër seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit për situatën energjetike

M.Miftari/RTKlive

Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme, të drejtuar nga kryetari Glauk Konjufca, në të cilën morën pjesë edhe kryetarët e grupeve parlamentare, përcaktoi agjendën e punës së Kuvendit për këtë javë.

Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës vendosi që, konform kërkesës së 40 deputetëve nënshkrues, nesër në orën 10:00,  Kuvendi të mblidhet seancë të jashtëzakonshme.

Kjo, për të shqyrtuar Vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për zgjatjen e masave emergjente në furnizimin e energjisë.

Ndërkaq, në bazë të vendimit paraprak të seancës plenare, po nesër, në orën 11:00, Kuvendi do të mbajë seancë plenare, në të cilën pritet të shqyrtohen për herë të dytë tri projektligje: Projektligji për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg dhe projektligji për mbështetjen e punëve publike, si dhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për noterinë. 

Ndërsa, seanca e radhës do të mbahet të enjten, më 10 nëntor. Bëhet e ditur se në mbledhjen e sotme, Kryesia shqyrtoi edhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e saj. 

 


MË SHUME NGA Lajme