Policia: Kemi kapacitete për menaxhimin e situatës në veri
E.Hoti/RTKlive
Policia e Kosovës pëmes një njoftimi ka potencuar se ka kapacitete për menaxhimin e situatës dhe rrethanave të krijuara në veri.
Policia thotë se tani pas dorëheqjeve në mungesë të personelit dhe kapaciteteve të mjaftueshme policore në veri, do të rris gradualisht kapacitetet e saja policore me zyrtarë të rendit publik.
“Të gjitha veprimet policore do të ndërmerren konform autorizimeve ligjore dhe kushtetuese, me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe shërbimit ndaj qytetarëve, ruajtjes së rendit e qetësisë publike si dhe mbikëqyrjes dhe kontrollit kufitar", shkruan në njoftim.
Policia e Kosovës, në këtë komunikatë, informon se edhe sot ka pasur paraqitje të dorëheqjeve të punonjësve policorë të komunitetit serb në pjesën e veriut të vendit, në zonën e drejtorisë rajonale të Mitrovicës Veri.
“Numri i njoftimeve për dorëheqje të punonjësve të uniformuar dhe të atyre civil nga rendi publik, kufiri dhe hetimet, të cilët deri më tani i kanë dërguarnjoftimet në rajonet dhe stacionet policore ka arritur deri në pesëqind e shtatëdhjetë e tetë (578) punonjës. Disa prej tyre janë në proces të dorëzimit të pajisjeve, ndërsa disa prej tyre deri më tani i kanë dorëzuar pajisjet e tyre, për të vazhduar me kompletimin e procedurave tjera të parapara", thuhet në njoftim.























