Kurti: Takimi me opozitën ishte shumë i mirë
Venera Xhoxhaj/RTKlive
(Plotësuar) Kryeministri Albin Kurti, u deklarua për media, pas takimit me liderët e opozitës, kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe AAK-së, Ramush Haradinaj.
Pasi mori pjesë në një ngjarje tjetër, Kurti u pyet nga mediat se si shkoi ky takim me liderët opozitarë.
“Takimi që pata sot me krerët opozitarë ishte takim shumë i mirë dhe ishte njoftues për situatën politike dhe të sigurisë, me bashkëbisedim të hapur dhe serioz”, tha kryeministri Kurti.
“Përshtypja ime është që krerët opozitarë janë më shumë të pakënaqur se sa mospajtues”.
Kryeministri deklaroi se nuk bëhet fjalë për kurrfarë prishje të raporteve me miqtë ndërkombëtarë të Kosovës .
“Koordinimi, komunikimi dhe kontaktet me të gjithë aleatët janë të vazhdueshme dhe nuk është e vërtetë që ka kurrfarë cënimi të raporteve, përkurndrazi ka dendësi të komunikimit”, tha Kurti.
Ai foli edhe për braktisjen e takimit nga kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
“Për atë se si kush sillet, nuk mendoj se duht t’i lë pa punë analistët nëpër debate”.
Kurti tha se të gjithëjanë të lirë të bëjnë çka të duan, përbrenda ligjit dhe kushtetueshmërisë. “Prandaj nuk ka nevojë që t’i lë pa punë analistët”.
“Nuk është e vërtetë që nuk e dimë se në çfarë rruge jemi duke shkuar, pasi rruga jonë është rrugë e ligjshmërisë, kushtetueshëmrisë e lirive dhe të drejtave të njeriut edhe të pakicave, është rrugë e paqes dhe sigurisë e cila bëhet në përputhje me mandatin tonë, me vullnetin e popullit dhe në bashkërendim me miqtë dhe aleatët tanë”.
Kryeministri Kurti deklaroi se plani i veprimit është plan i organeve të sigurisë dhe ato bëjnë vlerësimet për veprimet. “Gjithçka është duke shkuar sipas ligjit”.
Kurti u shpreh se sot është dita kur është tejkaluar numri prej 900 fletqortimeve të shqiptuara ndaj qytetarëve që nuk zëvëndësojnë targat dhe se një masë e tillë, sipas tij, vazhdon deri me 21 nëntor.
“Më pas do të kalohet te gjobat, sipas ligjit”.
“Unë do t’i ftoj liderët opozitarë të vijnë dhe ky takimi i sotëm ka qenë bashkëbisedim i hapur dhe serioz”, tha Kurti, duke treguar se ka biseduar edhe për procesin e bisedimeve që po zhvillohet në Bruksel, për dialogun që do të jetë parimor e simetrik dhe po ashtu për modelet me të cilat testohen palët.
Ndërkohë, për takimin e Kryeministrit Albin Kurti me liderët e partive opozitare, Zyra e Kryeministrit ka lëshuar edhe një deklaratë për media.
Aty shkruan se kreu i Qeverisë, së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, këtë takim me liderët e partive opozitare, e kanë ftuar pas zhvillimeve të fundit në vend, e sidomos në veri të vendit.
Pasi shpjegohet se Kryeministri Kurti në takim ka theksuar se Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar në ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial, ligjshmërisë, kushtetutshmërisë, paqes dhe sigurisë, dhe se është në shërbim të të gjithë qytetarëve, pa dallim, u theksua aleanca me partnerët ndërkombëtarë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian e NATO-n, dhe komunikimi e bashkërendimi në shërbim të paqes, e në ruajtje të rendit publik dhe sigurisë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.
Kryeministri Kurti citohet t’i ketë falënderuar liderët e partive opozitare që iu përgjigjen pozitivisht ftesës për takim dhe diskutim, ndërkohë që këta të fundit shprehen mbështetjen ndaj Qeverisë për respektimin e ligjshmërisë në të gjithë Republikën e Kosovës.
Mbaron takimi Kurti-Opozitë, deklarohet Abdixhiku i LDK-së
Jeton Musliu/RTKlive
Ka përfunduar takimi i ftuar nga kryeministri Albin Kurti, me liderët e partive opozitare, PDK, LDK e AAK.
Ndonëse takimin e ka braktisur kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili më vonë në rrjetet sociale tregoi arsyen, takimi mes kryeministrit Kurti me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi dhe atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka vazhduar për rreth një orë e gjysmë.
Siç raporton gazetarja e RTK-së, Venera Xhoxhaj e cila ndoqi nga afër këtë ngjarje, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas takimit ka bërë edhe një deklarim për media.
Abdixhiku tha para mediave se në këtë takim, nuk kanë kuptuar diçka më shumë sesa ato që janë thënë publikisht.
“Nuk pamë ndonjë plan konkret”, tha kryetari i LDK-së. “Nuk pamë ndonjë lëvizje për koordinim me aleatët”.
Kryetari i LDK-së u shpreh se Kosova nuk duhet të jetë pre e kurtheve nga faktorët në Beograd, por duhet të koordinohet me aleatët.
“Për një bashkëpunim të Qeverisë me aleatët, ajo do të mbështetet nga LDK”, tha kreu i kësja partie opozitare.
“Pra, LDK kërkon koordinim të plotë me aleatët dhe për këtë do ta ketë mbështetjen”, sqaroi Abdixhiku, pas takimit me kryeministrin Kurti dhe liderët e tjerë të partive opozitare.
“Ne kërkojmë që kjo Qeveri të ketë ligjshmëri dhe koordinim me aleatët e vet”, tha Abdixhiku, i cili hodhi në dyshim se ka një koordinim të tillë.
“Nuk ka koordinim të tillë, derisa nuk kemi një konfirmim nga aleatët”. Mbaron takimi Kurti-Opozitë, deklarohet Krasniqi i PDK-së
Ndonëse takimin e ka braktisur kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili më vonë në rrjetet sociale tregoi arsyen, takimi mes kryeministrit Kurti me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi dhe atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka vazhduar për rreth një orë e gjysmë.
Siç raporton gazetarja e RTK-së, Venera Xhoxhaj që po ndjek nga afër këtë ngjarje, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, pas takimit ka bërë edhe një deklarim për media.
Krasniqi është shprehur se partia që ai drejton, i jep përkrahje Qeverisë së Kosovës, që të ndërmarrë veprimet që i takojnë dhe që kjo e fundit duhet të ndërmarrë.
“Pra, për veprimet që të kanë të bëjnë me ruajtjen e integritetit të Kosovës dhe integrimin”, tha Krasniqi para mediave.
Ai deklaroi se në takim është diskutuar edhe për procesin e dialogut mes Kosovës e Serbisë. “Ne kemi deklaruar se në vend që sot të fokusohemi te merrëveshja finale, tani po merremi me tema të tjera”, tha kryetari i PDK-së.
Ai tha se në takim kanë shkuar për ta dëgjuar kryeministrin për situatën. “Por nuk jam i sigurt se në çfarë rruge ka hyrë dhe a do të dalim suksesshëm”.
Haradinaj tregon arsyen përse braktisi takimin
Pasi braktisi takimin e ftuar nga kryeministri Albin Kurti me liderët e partive opozitare të PDK-së e LDK-së, kryetari i partisë së tretë opozitare në vend, Ramush Haradinaj i AAK-së, me një status të shkurtër në Facebook, shpjegoi arsyen e largimit të tij.
“Edhe pse isha pjesë e takimit me kryeministrin Kurti, u detyrova ta lëshoj takimin”, shkroi Haradinaj.
“…Sepse Kurti mbante ligjërata e nuk na sqaronte se përse ka prishur raportet me Amerikën dhe përse nuk po kthehej që të realizojë kërkesën e tyre”.
Haradinaj deklaroi se një veprim i tillë për të është i papranueshëm.
“Për mua është e papranueshme që në raste kaq të ndjeshme, të prishim raportet me aleatin kryesor të sigurisë”.
Ndërkohë,PDK-ja, me një komunikatë për media, deklaron se në këtë takim, bashkë me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ishte edhe kryetari i komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza.
Kreu i PDK-së tha se në këtë takim ka përsëritur qëndrimin e PDK-së se kjo situatë kërkon veprime të përgjegjshme politike dhe koordinim të ngushtë me partnerët tanë kryesorë ndërkombëtar, për të siguruar ruajtjen e sovranitetit dhe shtetësinë në çdo centimetër të Republikës së Kosovës.
Krasniqi tha se nga ky takim nuk doli shumë i sigurt që Kryeministri dhe Qeveria janë duke ditur të dalin suksesshëm nga kjo rrugë, duke ruajtur tërësinë e Kosovës dhe funksionimin e shtetit.
“Mendoj që sot e kemi një situatë të re e cila ka mundur të shmanget. Papjekuria në disa veprime dhe mungesa e koordinimit të duhur me aleatët kryesorë të Kosovës duket se ka sjellë një momentum që ka mundur të shmanget. Sidoqoftë, ne jemi këtu ku jemi dhe është përgjegjësi e Qeverisë para së gjithash. Por është obligim i të gjithëve që Kosovën ta vendosim si prioritet para çfarëdo lloj konsiderate tjetër politike, partiake që mund ta kemi”, tha Krasniqi.
Ai tha Qeveria e Kosovës duhet të ndërmarrë veprimet që i takojnë për vazhdimin e ushtrimit të sovranitetit juridik, ruajtjen e rendit publik dhe ofrimin e shërbimeve bazike në katër komunat e pjesës veriore të vendit.
“Ne diskutuam rreth asaj se si është situata, si ka ardhur deri këtu, por unë isha më shumë i interesuar të dëgjoj për planet e ardhshme të Qeverisë për ta menaxhuar këtë situatë. Nuk mund të them se dola me ndonjë siguri të madhe se Qeveria e din se në çfarë drejtimi është duke shkuar dhe çfarë veprime duhet të ndërmarr për ta mbajtur situatën nën kontroll. Sepse, në fund të fundit qëllimi i të gjithëve duhet të jetë mbarëvajtja e rendit publik dhe ruajtja e paqes”, tha Krasniqi.

Haradinaj del nga takimi me Kurtin, Krasniqin e Abdixhikun
Ende pa filluar mirë takimi i kryeministrit Albin Kurti me liderët e partive opozitare, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka braktisur atë.
Nuk dihet se çfarë ka ndodhur brenda në takim, pasi ai po mbahet prapa dyerve të mbyllura.
Megjithatë, vetëm disa minuta pasi janë mbledhur liderët e partive opozitare, Memli Krasniqi i PDK-së, Lumir Abdixhiku i LDK-së e Ramush Haradinaj i AAK-së, ky i fundit doli me shpejtësi dhe u largua nga ndërtesa e Qeverisë.
Siç raporton gazetarja e RTK-së, Venera Xhoxhaj, pavarësisht përpjekjeve të gazetarëve për të kuptuar më shumë prej tij, për arsyen e braktisjes së takimit të ftuar nga kryeministri Kurti, ai hipi në veturë dhe u largua me shpejtësi.
Ndërkohë, brenda në takim edhe më tej ndodhen kryeministri Albin Kurti, bashkë me kryetarët e PDK-së, Memli Krasniqi dhe atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Fillon takimi Kurti-Krasniqi-Abdixhiku-Haradinaj
Tashmë në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës ka mbërritur kryeministri Albin Kurti, i cili ka ftuar për një takim, liderët e partive opozitare në vend.
Për takimin e caktuar që të mbahet në orën 08:00, në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, disa minuta pas tij, ka mbërritur edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i shoqëruar nga nënkryetari, Lutfi Haziri.
Siç njofton Venera Xhoxhaj, gazetarja e RTK-së e cila po ndjek nga afër këtë ngjarje, pas tyre në Qeveri, ka mbërriturpër këtë takim edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e disa minuta më pas, edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.
Kryeministri Kurti, të hënën rreth orës 17:00, u ka dërguar ftesë liderëve të partive politike opozitare, për mbajtjen e një takimi të përbashkët për ditën e sotme.
Temë e diskutimit, siç është shkruar në letër, është situata e fundit në veri të vendit, kur serbët lokalë të Kosovës, kanë hequr dorë nga institucionet, si policia e gjyqësia.
(Televizioni i Kosovës përmes ekipit të RTK-së, gazetares Venera Xhoxhaj,kameramanit Gent Bajri, me transmetime direkte si edhe redaksia e rtklive.com, me përditësime të vazhdueshme, do të sjellin minut pas minute, zhvillimet për këtë takim).



Kryeministri Kurti pret sot në takim liderët e partive opozitare
N.Mekolli /RTKlive
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dje në orët e mbrëmjes u ka dërguar ftesë partive politike opozitare për një takim.
Ardhjen në takim me kryeministrin Kurti, tashmë e kanë konfirmuar, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku dhe lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj.
Takimi i kreut të qeverisë me liderët e partive opozitare kryeministri, do të mbahet në orën 8:00 në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, ka njoftuar zyra për informim e Kryeministrit.
Ky takim mbahet në kohën kur në veri, situata politike dhe e sigurisë kanë ndryshuar.
Kjo pas vendimit të Qeverisë për zbatim të vendimit për targa të automjeteve dhe në anën tjetër të bojkotimit të institucioneve nga ana e serbëve të Kosovës, raporton RTKlive.
Përndryshe, dje gjatë ditës kanë reaguar PDK e AAK. E para ka kërkuar bashkëpunim kurse e dyta ka akuzuar kryeministrin Kurti për marrje të vendimeve, që sipas saj, janë jo në koordinim me miqtë ndërkombëtarë të Kosovës.
Kryeministri Albin Kurti, për zhvillimet e fundit në veri të vendit, dje, ka biseduar edhe me Sekretarin e Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.























