UEFA sërish hedh poshtë idenë e Superligës Evropiane
BKT
Sport

UEFA sërish hedh poshtë idenë e Superligës Evropiane

RTSH

UEFA ka lëshuar deklaratën pas takimit me kompaninë e zhvillimit të Superligës Evropiane, duke përsëritur se nuk ndryshon qëndrim sa i përket kësaj ideje.

Përfaqësues të organizmit që qeveris futbollin kontinental dhe disa ligave dhe klubeve morën pjesë në takim me kërkesë të “A22 Sports”, kompanisë e cila mbështet dhe promovon Superligën dhe ky takim u mbajt të martën në Nion të Zvicrës.

Pas takimit, UEFA lëshoi një deklaratë, ku thuhet se qëndrimi i UEFA-s dhe partnerëve të saj në lidhje me projektet e palëve të treta mbetet i njëjtë.

“UEFA dhe palët e tjera të interesuara mbeten të përkushtuar ndaj parimeve që bazohen në çiltërsi, solidaritet dhe meritokraci, ku interesat sportive dhe publike kanë përparësi mbi privilegjin dhe vetëpohimin”, thuhet në deklaratën e organizmit evropian.

Në takim morën pjesë presidenti i UEFA-s, Aleksandër Çeferin, kreu i La Ligës Spanjolle, Havier Tebas, CEO i Serisë A në Itali, Luixhi de Çiervo, kreu i Shoqatës së Klubeve Evropiane dhe presidenti i PSG-së, Naser Al-Khelaifi dhe shumë funksionarë të tjerë të njohur, por edhe kreu i ri ekzekutiv i “A22 Sports”, Bernd Raihart dhe themeluesit e kompanisë, Anas Laghrari dhe Xhon Hahn.

“Në përputhje me unitetin e futbollit evropian, UEFA dhe aktorët kryesorë të sportit tonë, e refuzuan unanimisht arsyetimin e projekteve të tilla minuese të tilla si Superliga Evropiane, gjatë diskutimeve të sotme”,  thuhet në deklaratën e UEFA-s, e cila më tej vijoi: “Pjesëmarrësit mësuan, jo pa habi, për pretendimet e kreut ekzekutiv të “A22 Sports”, që kjo kompani nuk përfaqëson në asnjë aspekt, ndonjë klub të veçantë, përfshi edhe 3 klubet që që vazhdojnë ta përkrahin hapur këtë projekt.”