Buxheti, 2.1 miliardë lekë investime për ujitjen dhe kullimin
ATSH
Projektbuxheti i vitit 2023 adreson një fond prej 2.1 miliardë lekë ose 23% më shumë se viti 2022, në investime për sektorin e ujitjes dhe kullimit në sektorin e bujqësisë.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Frida Krifca në një prononcim për ATSH-në, detajoi projektet konkrete ku do të investohet.
“Fokusi do të jetë në: Rehabilitimin e kanaleve ujitës me një fond total prej 328 milion lekë; investimet në infrastrukturën e mbrojtjes nga përmbytja nëpërmjet rehabilitimit/ndërtimit të argjinaturave mbrojtëse me një fond total prej 673 milion lekë. Gjithashtu investime për rehabilitim hidrovoresh me fondin prej 108 milion lekësh”, tha ministrja.
Sipas saj, për mirëmbajtjen dhe përmirësimin e rrjetit të ujitjes dhe kullimit dhe hidrovorëve do të investohen 630 milion lekë.
Ministrja tha se, impakti i pritshëm për vitin 2023 në infrastrukturën e ujitjes dhe të kullimit, është investimi në 46 objekte të infrastrukturës së ujitjes, mbrojtjes nga përmbytja dhe hidrovore, përmirësimi i ujitjes në rreth 12.000 ha, duke ndërhyrë në rehabilitimin e disa kanaleve kryesor ujitës, siç janë kanalet Peqin-Kavajë, Mat-Lezhë, Shtodër, Bërdice, si dhe përfundimi i rehabilitimit të kanalit ujitës të Gjançit në Korçë dhe kanalit Polis-Tudan në Elbasan.
Përsa i takon mbrojtjes nga përmbytja, do të investohet në rehabilitim/ndërtimin e rreth 22 km argjinatura për mbrojtjen nga gërryerja dhe përmbytja të tokave bujqësore dhe zonave të banuara, më të ekspozuara nga rreziku i përmbytjeve lumore, kryesisht në lumenjtë Buna (në Darragjat, Shirgj, Dajç, Reç-Pulaj), Vjosa ( tek Bishti i Malit, Armen, bashkia Selenicë, në Kafaraj bashkia Fier), Osum (në Arrëz, bashkia Dimal, në Orizaj dhe Harvales, bashkia Berat), Shkumbin (Ish Pularia dhe Papër, bashkia Elbasan, në Gosë-Ballaj, bashkia Kavajë, në Sulzotaj, bashkia Lushnje), Devoll (në Gegë, bashkia Kuçovë, Inonisht bashkia Korçë, Gregan bashkia Elbasan), Erzen (në Ibë bashkia Tiranë), Suhë në Gjirokastër, Përroi i Tarinit (segmenti Tarin-Perlat, bashkia Durrës), etj.
Gjithashtu, në këtë sektor do të zbatohen disa projekte me financim të huaj, të cilat nuk janë të përfshirë në buxhetin e këtij programi. Me grante të WBIF (Western Balkans Investment Frameëork): Me 2.7 milion USD, po realizohet studimi i fisibilitetit për përmirësimin e mbrojtjes nga përmbytja në lumenjtë Ishëm, Erzen, Shkumbin, Seman dhe Vjosa. Më pas do të kalohet në projektet e zbatimit dhe realizimin e ndërhyrjeve prioritare.
Me 1.6 milion USD, do të kryhet studimi i parafisibilitetit të rreth 430 digave dhe në funksion të përfundimeve/gjetjeve të tij do të vazhdohet me fazat e tjera të studimit të fisibilitetit, hartimit të projekteve të zbatimit dhe kryerjes së punimeve civile për rehabilitimin e një pjese të digave për ujitje (nga 626 diga gjithsej).
Një projekti i ri me financim të Bankës Botërore, që pritet të bëhet efektiv në mesin e vitit 2023, parashikon disa ndërhyrje në infrastrukturën e ujitjes dhe të kullimit që do të rrisin sipërfaqen e tokës bujqësore të vaditur dhe rritjen e prodhimit bujqësor në vendin tonë.























