Begaj: Nevojitet pasurimi i gjuhës shqipe dhe mbrojtja nga huazimet
/rtsh.al/
Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj, i pranishëm në Konferencën e Jubilare të organizuar me rastin e 50- vjetorit të mbajtjes së Kongresit të Drejtshkrimit, e vuri theksin te nevoja për ta pasuruar dhe mbrojtur gjuhën shqipe nga huazimet e panevojshme dhe padija gjuhësore.
Kreu i shtetit tha se prioritet për akademikët duhet të jetë pasurimi i fjalorit të gjuhës shqipe dhe përpilimi i fjalorëve që pasqyrojnë ndërveprimin e saj me gjuhë të tjera.
Po ashtu, Presidenti Begaj shtoi se lëndës së gjuhës shqipe dhe letërsisë duhet t’i jepet përparësi në shkolla, në mënyrë që brezi ri jo vetëm të marrë njohuri të thella të gjuhës amtare, por edhe të edukohet me krenari për kulturës së cilës i përket.
“Në një botë ku kultura të mëdha po ngushtojnë hapësira për kombe e kultura të vogla, nevoja për pasurimin e gjuhës dhe mbrojtjen e saj nga huazimet e panevojshme është mjaft e madhe. Lëndës së gjuhës dhe letërsisë shqipe duhet t’i jepet përparësi në shkolla, në mënyrë që brezi i ri jo vetëm të marrë njohuri të thella të gjuhës amtare, por të edukohet me krenari për gjuhën dhe kulturën së cilës i përkasin. Veçanërisht diaspora duhet të mbështet me politika e programe të veçanta e të posaçme. Edhe pse larg atdheut të të parëve, brezi i ri duhet të rritet me vetëdijen se i përkasin të njëjtës botë shqiptare. Puna për pasurimin e fjalorit të gjuhës shqipe dhe për përpilimin e fjalorëve që pasqyrojnë ndërveprimin e saj me gjuhë të tjera, duhet të jetë parësore për akademikët dhe shqiptarët. Jo më pak e rëndësishme është nevoja për mbrojtjen e shqipes nga padija gjuhësore”, tha Begaj.
Kongresi i Drejtshkrimit të gjuhës shqipe zhvilloi punimet në Tiranë nga 20 deri në 25 nëntor të vitit 1972. Në Kongres u përfaqësuan gjerësisht forcat e shkencës, të arsimit dhe të kulturës shqiptare. Aty ishin të pranishëm 87 delegatë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi si dhe arbëreshë nga Italia. Synimi i mbledhjes së Kongresit ishte përcaktimi i parimeve dhe drejtimeve kryesore për hartimin e rregullave të drejtshkrimit, për të pasur një gjuhë letrare të njësuar kombëtare.























