Peleshi: Pagat e ushtarakëve, 40% rritje krahasuar me një vit më parë
BKT
Shqipëri

Peleshi: Pagat e ushtarakëve, 40% rritje krahasuar me një vit më parë

ATSH

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi deklaroi sot se, pagat e ushtarakëve llogariten me 40% rritje në 1 janar 2023, krahasuar me 1 janarin 2022.

Në fjalën e tij në seancën plenare të Kuvendit, ku po diskutohet projektbuxheti dhe paketa fiskale 2023, Peleshi u shpreh se, “ky buxhet nuk është një buxhet i zakonshëm, jo vetëm në Shqipëri, por në çdo vend të botës. Ky është një buxhet i rezistencës ndaj një krize të shkaktuar nga një luftë, nga një person, Vladimir Putin”.

“Lufta në Ukrainë, pushtimi rus në Ukrainë, është shkaku i tronditjes ekonomike, sepse ajo nuk është thjesht një luftë ushtarake ndërmjet dy vendeve të çfarëdoshme, janë dy fuqi të mëdha ekonomike dhe natyrisht dy ekonomi, dy tregje që përplasen dhe që tronditin furnizimet dhe çmimet në të gjithë botën” tha Peleshi, i cili shtoi se, “ky është shkaku i inflacionit”.

Duke folur për energjinë, Peleshi u shpreh se, “ne nuk jemi eksportues neto, ne jemi importues neto të energjisë. Importojmë 30%-40% të energjisë. Çmimi në bursë i energjisë i tronditur nga lufta e Vladimir Putin në Ukrainë, ndikon padyshim dhe situatën tonë energjetike”.

Sa i përket bujqësisë, Peleshi u shpreh se, “ne nuk jemi një eksportues neto i produkteve bujqësore dhe blegtorale, ne jemi importues. Ama duhet thënë që kemi trashëguar një raport në importe një bilanc 1 me 7. Pra importonim deri në vitin 2013, 7 herë më shumë sesa eksportonim dhe sot e kemi çuar në 2.8”.

Peleshi foli edhe për inflacionin, duke theksuar se, “ne kemi një shifër për inflacionin që është rreth 6.4% apo 6.5%. Nëse shikoni hartën e inflacionit në të gjithë Evropën do të shikoni që në vendet baltike është mbi 20%, në të gjitha vendet baltike. Letoni, Lituani, Estoni e kanë 22%, 24%, 25% respektivisht. Bullgaria 17%-18%. në të gjithë Evropën inflacioni është me 2 shifra. ne jemi në 6.4%, ndërkohë që pagat e administratës janë rritur 7% dhe në këtë buxhet është akomoduar kjo rritje prej 7%”.

Peleshi u shpreh se arsyeja kryesore e këtij niveli të ulët të inflacionit në vendin tonë, krahasuar me vendet e tjera është, “mburoja e çmimit të energjisë”.

“Është energjia ajo që po trondit ekonomitë botërore dhe ekonomitë familjare. Por kjo nuk ndihet për të gjithë familjarët tanë dhe për 99% të biznesit, sepse çmimi i energjisë është sic ka qenë para luftës, si në asnjë vend tjetër të Evropës”, tha Peleshi.

Sa i përket rritjes së eksporteve bujqësore, Peleshi nënvizoi se, “kemi shkuar në gjysmë miliardi dhe jemi drejt objektivit për të shkuar në 1 miliardë eksporte bujqësore”.

Peleshi foli edhe për rritjen e pagave për ushtarakët me buxhetin e vitit 2023.

“Kam një lajm për shtresën që përfaqësoj, një lajm të jashtëzakonshëm për të gjithë ushtarakët, i gjithë personeli i FA, rreth 7 mijë ushtarakë që do të përfitojnë një rritje të re të pagës me këtë buxhet. Nga 1 korriku i këtij viti të gjithë ushtarakët marrin 30% më shumë pagë. Në janar 2023 ky buxhet, mbi këtë 30% shton edhe 7%. Që do të thotë në total nëse e krahasojmë pagën që një ushtarak merrte në 1 janar 2022 me pagën që do të marrë në 1 janar 2023 ndryshon me 40%. Pra është një rritje 40% e pagës. Një ushtarak që merrte pagën më të ulët 500 mijë lekë në 2022-in, tani do të marrë 700 mijë lekë. Kjo është paga më e ulët, për të vazhduar pastaj me pagat më të larta”, tha Peleshi.


MË SHUME NGA Shqipëri