Kuvendi miraton në parim projektligjin për Buxhetin 2023
BKT
Shqipëri

Kuvendi miraton në parim projektligjin për Buxhetin 2023

rtsh.al

Paketa Fiskale dhe projektligji për buxhetin 2023 është miratuar në parim vetëm me votat e partisë Socialiste, ndërsa opozita ka votuar kundër.

Me 76 vota pro dhe 41 kundër, kuvendi ka miratuar Projektbuxhetin e vitit 2023. Ndryshimet ligjore në Paketën Fiskale janë miratuar gjithashtu vetëm me votat e mazhorancës. Projektligji për tatimin mbi vlerën e shtuar u miratua me 76 pro e 40 kundër, ndërsa projektligji për procedurat tatimore u miratua me 76 vota pro e 40 kundër.

Gjatë seancës maratonë të Kuvendit që ka zgjatur dy ditë ka pasur përplasje të shumta mes mazhorancës dhe opozitës lidhur me buxhetin e viti 2023. Teksa mazhoranca tha se ky buxhet është i përshtatur me krizën ekonomike që ka përfshirë botën për shkak të luftës dhe se me të synohet mbështesja e shtresave në nevojë dhe rritja e pagave dhe pensioneve, opozita nga ana tjetër mendon se ky buxhet dëmton qytetarët dhe bizneset.

Gjatë prezantimit të buxhetit 2023, kryeministri Rama tha se në fokus ka mbrojtjen e familjeve dhe biznesit të vogël nga rritja e çmimit të energjisë elektrike. Ky buxhet, tha Rama, është në buxhet 2-fishi i atij të vitit 2013 dhe se janë 12 mld lekë, plus edhe suporti i BE, për mbështetjen buxhetore të këtyre kategorive.

Ai shtoi po ashtu se do të rritet niveli i pagës minimale, ku nga 36 mijë lekë, do të shkojë në 38 mijë lekë, ndërsa do të rritet me 6% paga e mësuesve, punonjësve të shëndetësisë dhe zjarrfikësve. Kreu i qeverisë theksoi se mbështetja për familjet do të vijojë edhe rritjen e nivelit të pagave që nuk taksohen në 50 mijë lekë.


MË SHUME NGA Shqipëri