Çitaku e cilëson diplomaci për fillestarë, deklarimin e Kurtit
J.Musliu/RTKlive
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar për shkrimin e kryeministrit Albin Kurti sa i përket vizitës së tij të tretë brenda dy vitesh në Elysee të Francës.
Çitaku e cila ishte edhe ambasadore e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e ka cilësuar diplomaci për fillestarët qasjen e Kurtit sa i përket vizitës së zhvilluar të enjten në Paris.
Në këtë vizitë, bashkë me presidenten Vjosa Osmani, kryeministri Kurti u prit nga presidenti francez, Emmanuel Macron.
“Për herë të tretë brenda dy viteve ne Elysee, tha Kryeministri me mburrje. Kryeministër, dy nga këto tri herë kanë qenë pritje për të gjithë udhëheqësit e shteteve (përfshirë Vuçiçin) si pjesë e konferencave ndërkombëtare”, ka shkruar më tej Çitaku në Facebook.
“Si ambasadore, kjo i bie sikur me i numru e me u mburrë me kartolinat e ftesat për festat e fundvitit në Shtëpinë e Bardhë, që ju shkojnë me automatizëm të gjitha misioneve diplomatike”, shkroi Çitaku.
“Sinqerisht, për keqardhje”.
























