Rama: Lidhja e opozitës me paratë ruse nuk është ndërprerë
ATSH
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se lidhjet e opozitës me likuiditetet ruse nuk janë ndërprerë.
Në një prononcim për mediet, pas mbledhjes së kryesisë së Partisë Socialiste, nga selia e kësaj partie, Rama tha se opozita duhet të përgjigjet se pse ka pranuar paratë ruse për të rrëzuar qeverinë e Shqipërisë.
“Sot është dita për ti dhënë përgjigje një pyetjeje: Pse paratë ruse u derdhën në Shqipëri, te një parti politike për të rrëzuar qeverinë, te një parti e opozitës për të rrëzuar një qeveri, që kjo parti ishte në opozitë me qeverinë, por ishte edhe është qeveria e këtij vendi? Dhe qeveria e këtij vendi duhet të jetë më e rëndësishme sesa paratë ruse”, deklaroi Rama.
I pyetur për protestën e së shtunës të thirrur nga opozita, Rama u shpreh se ndjente keqardhje për ata që e ndjekin ende nga pas.
“Nuk kemi asnjë lloj minute për të humbur me protestën e atyre që kanë marrë gjysmë milion dollarë për të bërë protesta të kësaj natyre në të kaluarën. Koha do të tregojë se lidhjet e tyre me likuiditetet ruse nuk janë ndërprerë. Keqardhje për të gjithë ata që po u shkojnë nga mbrapa”, deklaroi Rama.























