Ushtrisë së Kosovës i shtohen edhe 311 rekrutë të rinj
BKT
Lajme

Ushtrisë së Kosovës i shtohen edhe 311 rekrutë të rinj

E.Hoti/RTKlive

Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) nga sot i janë shtuar edhe 311 kadetë të rinj, të cilët e dhanë betimin duke premtuar shërbim me dinjitet në mbrojtje të atdheut. Në një ceremoni të veçantë, ku morën pjesë edhe përfaqësues nga institucionet e Kosovës, por edhe ata të mbrojtjes, u tha se Ushtria e Kosovës po rritet dhe forcohet vazhdimisht.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se Ushtria e Kosovës është e shtetit dhe e popullit, e cila ka synim integrimin në NATO.

 “Prandaj orientimi ynë është i qartë. Ne duam të jemi pjesë e NATO-s, aleancës më të fuqishme të botës, e cila i përfshiu shtetet demokratike. Ne nuk jemi shtet që kemi pretendime territoriale. Ne jemi Republikë Demokratike, por ne ndihemi të kërcënuar nga pretendimet  e Serbisë. Nuk mund të ketë paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në tokën evropiane pa hequr dorë Rusia nga Ukraina dhe pa hequr dorë Serbia nga Kosova”, deklaroi kryeparlamentari Konjufca.

Ai po ashtu tha se gjithçka që është arritur deri këtu, është bërë së bashku me miqtë e çmuar,  Shtetet e Bashkaria të Amerikës dhe shtetet tjera të botës demokratike evropiane dhe perëndimore.

“Kjo përpjekje kulmoi me luftën e drejtë të UÇK-së për mbrojtjen e vendit tonë, çlirimit të atdheut dhe largimin e okupatorit serb. Liria jonë e shenjtë i ka rrënjët në këtë luftë të lavdishme. Shteti ynë është i barabartë për të gjithë qytetarët tanë pa dallim etnie, gjinie, feje, apo përkatësie tjetër. Por, për ta mbrojtur lirinë e shtetit tonë e kemi FSK-në, e cila po ndërtohet sipas principeve të një ushtrie moderne dhe demokratike”, tha Konjufca në ceremoni.

Ndërkaq ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, paralajmëroi edhe për një konkurs të radhës, që do hapet më 28 nëntor për pranimin e mbi 600 ushtarëve.

“Grupi i juaj sot është shumë i veçantë, sepse jeni grupi më i madh që është certifikuar ndonjëherë në ushtrinë tonë. Certifikimi i juaj po ndodh në një datë të veçantë, datën 11 nëntor, në ditën kur më 1918 është data kur është nënshkruar marrëveshja për paqe që bëri të heshtnin armët e luftës së parë botërore”, deklaroi  Mehaj, duke shtuar se më shumë se çdo herë Kosova ka nevojë për paqe.

“Në venat tuaja e keni ADN-ën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, keni ADN-ën e komandantit legjendar Adem Jasharit. Ushtria e Adem Jasharit nuk dorzohet, nuk kthehet prapa, është e pathyeshme dhe e pamposhtur. Jemi të qëndrueshëm dhe vizionarë si Adem Demaçi dhe trima si Adem Jashari”, deklaroi mes tjerash ministri Armend Mehaj.

Ndërsa, zëvendëskomandanti i Komandës së Doktrinës dhe stërvitjes kolonel, Mehmet Lladrovci, tha se 311 rekrutët e rinj me sukses kanë arritur ta përfundojnë trajnimin bazik duke marrë edhe zyrtarisht statusin “Ushtar i Kosovës”.


MË SHUME NGA Lajme