Zgjedhjet e 14 majit, Rama: PS koalicion me qytetarët
ATSH
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Partia Socialiste nuk do të ketë koalicion me asnjë parti tjetër në zgjedhjet vendore të 14 majit.
Në një prononcim për mediet pas mbledhjes së kryesisë të Partisë Socialiste, i pyetur se më cilën parti do të bëjë koalicion në zgjedhjet vendore të 14 majit, Rama tha se “do të ketë koalicion me qytetarët”.
Lidhur me mbledhjen e kryesisë së PS-së, Rama u shpreh se “jemi mbledhur, pasi nga njëra anë kemi mbyllur projektbuxhetin, që është një moment shumë i rëndësishëm dhe tani kemi edhe fazën e diskutimeve nen për nen”.
“Nga ana tjetër jemi duke realizuar një dialog të gjerë me shqiptarët në të gjithë Shqipërinë dhe kemi bërë një diskutim mbi ecurinë e këtij dialogu që nuk zhvillohet vetëm kur shkoj unë, por zhvillohet në vazhdimësi edhe nga drejtuesit e qarqeve. Kemi diskutuar edhe sesi këto të dyja bashkohen me njëra-tjetrën për të konkluduar këtë periudhë të mbetur të vitit, dhe po ashtu kemi folur edhe për projeksionin e vitit të ardhshëm, ku një moment janë zgjedhjet vendore”, tha Rama.























