Për dhunime seksuale në luftë 10 vjet burg
Valbon Thaçi/RTKlive
Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë, gjatë shqyrtimit të ri gjyqësor, ka shpallur Zoran Vukotiqin përgjegjës për kryerjen e krimit të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, dhe e dënoi me 10 vjet burgim.
Vukotiq shpallet fajtorë për veprën penale në bashkëkryerje me pjesëtarët e tjerë të panjohur të njësitit të përmendur rezervist të policisë serbe dhe personat e tjerë të armatosur dhe të uniformuar, “Krime të luftës kundër popullsisë civile nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë”.
“I akuzuari është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burg në kohëzgjatje prej 10 (dhjetë) vitesh, në dënimin e shqiptuar do ti llogaritet edhe koha e kaluar në masën e paraburgimit nga data 13 shtator 2022 e tutje”, thuhet në vendimin e Gjykatës.
Kundër këtij aktgjykimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Ky vendim vjen, pas vendimit të marrë më 5 korrik 2021 nga Gjykata Themelore e Prishtinës kundër Zoran Vukotiq, i cili për shkak të parashtrimit të ankesës në Gjykatën e Apelit, rasti ishte kthyer në gjykim të serishëm.
E sot Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special shpalli aktgjykimin dënues, me të cilin Vukotiq shpallet fajtor për krimin e dhunës seksuale gjatë luftës kundër viktimës shqiptare.
Për këtë vendim ka reaguar edhe Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës.
“Vendimi i marrë në vitin 2021 ishte një pikë kthese për të mbijetuarit e dhunës seksuale në Kosovë, duke ua rikthyer besimin në institucionet e drejtësisë dhe shpresën për dënimin e personave përgjegjës për krimet e dhunës seksuale gjatë luftës. Kurse konfirmimi i sotëm i të njëjtit vendim e fuqizon edhe më tutje këtë besim që po ndërtohet përmes guximit të të mbijetuarve që kanë paraqitur rastet e tyre në prokurori dhe përkushtimit të institucioneve të drejtësisë për t’i shkuar deri në fund procesit të vënies së drejtësisë në vend”, thuhet në reagimin e QKRMT-së.
Ky vendim, sipas tyre, përçon mesazhin që krimet e dhunës seksuale as nuk harrohen e as nuk falen, “por pavarësisht kohës që ka kaluar dhe përpjekjeve për t’i ikur drejtësisë, ajo herët ose vonë do të arrihet dhe do të jetë e palëkundshme”.
“Rruga e drejtësisë e cila është hapur me këtë vendim është në vazhdimësi dhe do të jetë e pandalshme dhe të gjithë presim që drejtësia të arrihet edhe për rastet e tjera në proces duke i dhënë fund pandëshkueshërisë që ka mbizotëruar deri tash. Andaj, ftojmë institucionet relevante që të vazhdojnë ndjekjen e drejtësisë me të njëjtin përkushtim dhe profesionalizëm në mënyrë që drejtësia të vihet në vend për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë”, thuhet më tej në reagimin QKRMT-së.























