Vuçiq takon Borellin, kërkon themelimin e Asociacionit
J.Musliu/RTKlive
Të premten pasdite, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, takoi Përfaqësuesin e BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, Josep Borrell, i shoqëruar edhe nga emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Në këtë takim, siç njoftoi më vonë presidenti serb, në llogarinë e tij në instagram, tha se diskutoi për situatën aktuale në Kosovë, rrugën e Serbisë drejt BE-së dhe harmonizimit të politikave të jashtme të Serbisë me ato të BE-së.
“Unë e theksova se është e rëndësisë së veçantë që institucionet evropiane dhe vendet anëtare të BE-së të mbajnë qëndrim të prerë se Prishtina duhet të nisë përfundimisht t’i kryejë obligimet e veta, që, pikë së pari, kanë të bëjnë me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, shkroi Vuçiq, raporton RTKlive.
Duke iu referuar Kosovës si – Prishtina, Vuçiq deklaroi se kjo do ta dëshmonte përkushtimin për vazhdimin e dialogut dhe zgjidhjen e problemeve që kanë mbetur të hapura.
“Ne u pajtuam që është e nevojshme të ulen të gjitha tensionet, të qetësohet situata dhe të zgjidhen problemet në mënyrë të arsyeshme, siç insiston gjithmonë Serbia”, tha presidenti serb.
Më herët, të premten, me përfaqësuesit e BE-së kishte mbajtur takim edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Të pranishëm ishin edhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, dhe këshilltarët e kryeministrit, Jeton Zulfaj dhe Fisnik Korenica.
Pas takimit, Kurti tha se nuk duhet të humbet fokusi nga marrëveshja finale shkaku i problemeve të fundit. “Ne nuk duhet t’i vonojmë bisedimet për marrëveshjen ligjërisht të obligueshme, ndërkohë që i adresojmë çështjet aktuale”, shkroi Kurti në Twitter.























