Shqipëria zbaton rregulloret e BE-së mbi masat kufizuese ndaj Rusisë
rtsh.al
Shqipëria do të zbatojë rregulloret e Këshillit të Bashkimit Evropian për vendosjen, ndryshimin dhe shfuqizimin e masave shtrënguese ndërkombëtare.
Sipas vendimit të miratuar nga qeveria shqiptare të premten, njëra prej rregulloreve është ajo e Këshillit të Bashkimit Evropian që mban datën 3 qershor 2022 “Në lidhje me masat kufizuese në funksion të veprimeve të Rusisë që destabilizojnë situatën në Ukrainë”.
Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohet Drejtoria e Përgjithshme e Doganave.
Po ashtu, Këshilli i Ministrave miratoi në parim marrëveshjen, ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, për pjesëmarrjen e Shqipërisë në mekanizmin e mbrojtjes civile.
Një tjetër marrëveshje e miratuar sot është ajo me Maqedoninë e Veriut, për krijimin e taskforcave të përbashkëta në fushën e sigurisë.
Po ashtu, qeveria miratoi edhe propozimin e projektligjit “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën Ndërkombëtare të Hong-Kongut për Riciklimin e Sigurt dhe Mjedisor të Anijeve, 2009”.























