Protesta e opozitës, 1 mijë efektivë në terren! PD, 4 orë leje në Polici!
RTSH
Në Shqipëri opozita do të mbajë sot ( ditë e shtunë) protestën e paralajmëruar prej disa ditësh tek bulevardi “Dëshmorët e Kombit” përpara godinës së Kryeministrisë.
Protestuesit do të mblidhen në orën 16:00 para godinës së qeverisë, aty ku dyert kryesore të saj janë blinduar duke u veshur me llamarinë të fortifikuar.
Po ashtu, një ndër masat e marra është lyerja e shtyllave të ndriçimit me material graso për të evituar ngjitje në to nga protestuesit.
Këto masa vijnë pasi përfaqësues të Rithemelimit kanë paralajmëruar se do të rrethojnë kryeministrinë, por deri tani nuk ka asnjë informacion për realizimin e akteve të dhunës nga protestuesit.
Gjatë mbrëmjes së të premtes, Policia e Shtetit njoftoi qytetarët, se ka marrë masa për të ndaluar qarkullimin në disa akse rrugore me qëllim mbarëvajtjen e protestës, para, gjatë dhe pas organizimit të saj.
Rrugët do të bllokohen pas orës 15:00 deri në përfundim të protestës, janë: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rruga “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”.
Policia i bën thirrje që qytetarët të shmangin lëvizjen me automjete në këto akse rrugore dhe të përdorin rrugë alternative.























