Ramadani: Uroj lojtarët, janë heronjtë e Gjilanit, Batatina akuzon arbitrin
BKT
Sport

Ramadani: Uroj lojtarët, janë heronjtë e Gjilanit, Batatina akuzon arbitrin

Fatmir Bytyqi /RTKlive

Gjilani ka triumfuar në derbin e kësaj fundjave duke mposhtur Llapin, me rezultat 0-1, në ‘Zahir Pajaziti’.

Sulmuesi nigerian Theophilus Solomon ishte autori i golit të vetëm në këtë ndeshje duke ia siguruar gjilanasve tri pikë tejet të rëndësishme.

Trajneri i Gjilanit, Zekirija Ramadani pas ndeshjes është shprehur i lumtur me fitoren dhe paraqitjen e të besuarve të tij. Ai tha se këta lojtarë janë heronjtë e Gjilanit.

“Para ndeshjes iu thash lojtarëve që të luftojnë si të ishte një ndeshje finale dhe jam i lumtur me ta. I përgëzoj lojtarët për angazhimin. Ishte lojë mjaft e vështirë. U mbrojtëm shumë mirë, ndonëse na vuri në vështirësi Llapi në fund. I falënderoj edhe tifozët për mbështetje, që është plus shumë i madh për ne. Kishim disiplinë taktike, ndonëse vinim nga derbi ku shpenzuam shumë energji. Erdhi momenti, ndëshkuam Llapin dhe menaxhuam më pas rezultatin deri në fund. Uroj lojtarët, janë heronjtë e Gjilanit”, ka thënë Ramadani.

Ndërkaq, homologu i Ramadani, Tahir Batatina kreu i bankinës së Llapit, ka akuzuar gjyqtarin Visar Kastrati. Sipas tij, Kastrati nuk akordoi tri penallti për skuadrën e tij.

“Ata që e kanë deleguar Visar Kastratin le të përgjigjen. Nuk është në rregull të anulohen tri penallti për vendësin. Na vjen keq për Gjilanin, por nuk mund ta mbajmë ne në këtë formë. Tri penallti nuk janë akorduar për Llapin dhe gjithçka ka shkuar në dëmin tonë. Këtë fitore ta marrë Visar Kastrati e jo Gjilani. Humbja është pjesë e futbollit, por jo t’ua humbësh në këtë formë djersën lojtarëve. Nëse nuk kanë qenë penallti, do ta lë krejt futbollin. Sot Kastrati ka qenë me direktiva”, ka thënë Batatina.

Gjilani pas kësaj fitore, renditet në pozitën e tretë me 27 pikë, ndërsa Llapi i shtati me 19 pikë.