Nagavci: Kosova përfitoi 21 projekte nga Erasmus+
N.Mekolli /RTKlive
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, shefi i Zyrës së BE-së, Tomáš Szunyog, si dhe Mimika Dobroshi nga Zyra e Erasmus+ në Kosovë, në konferencë të përbashkët për medie, folën për rezultatet e projekteve për ngritje të kapaciteteve në arsimin e lartë dhe në arsimin profesional, si dhe projektet nga Kosova që janë përzgjedhur për financim nga Komisioni Evropian.
Ministrja Nagavci tha se ka kënaqësinë për këtë interesim kaq të madh, për të marr pjesë në këtë konferencë dhe për numrin e madh të përfituesve për këtë vit nga programet e Erasmus+. Ajo tha se këtë vit në vit po shtohen numri i projekteve, për ata që duan të përfitojnë nga fondet e BE-së, nga programi Erasmus+.
“Kosova ka fitua gjithsejtë 21 projekte prej të cilave 11 për arsimin e lartë. Që nga viti 2015 Kosova ka pasur ngritje numrit të projekteve, nga i cili kanë përfitua nga programi Erasmus+. Në vitin 2022 kemi përfitua më së shumti projekte, besoj se në vitin 2023 do të kemi një numër edhe më të madh përfituesish. Nga viti 2015 kanë përfitua gjithsejtë 3880 studentë dhe staf akademik, kanë lëvizur nëpër Evropë dhe 2074 janë vendosur në Kosovë, përmes programeve të përbashkëta”, tha Nagavci.
Sipas Nagavcit, këtë vit janë përfitua shumë projekte, por mundësit janë shumë më të mëdha. Ministrja tha se Kosova tashmë është anëtare e barabartë në programin Erasmus+, kështu që mundësit për përfitime janë shumë të mëdha si për student ashtu edhe për staf akademik.
“BE-ja mbetet partner i rëndësishëm në arritjen e synimeve tona në fushën ë arsimit, andaj shpresoj që në të ardhmen të përfitojmë edhe më shumë nga ky program”, tha ajo, raporton RTKlive.
Kurse shefi i Zyrës së BE-së, Tomáš Szunyog, tha se Erasmus+ ka qenë programi më i suksesshëm i Bashkimit Evropian dhe i ka mbështetur miliona studentë dhe staf akademik në aftësimin e tyre profesional.
“Po ashtu ka ndihmuar në modernizimin e arsimit të lartë, prandaj është kënaqësi që këtë vit BE ka investua 14,7 miliardë euro për arsim, aftësim për rini e sport, për periudhën 2021 deri në vitin 2027. Nga Kosova me programin Erasmus+ kanë përfitua 3880 studentë, të cilët kanë dal jashtë Kosove. Këta student janë kthyer dhe janë shumë të rëndësishëm për zhvillimin e Kosovës”, tha Szunyog .
Sipas tij shifrat për vitin 2021 shihet një trend pozitiv i rritjes së projekteve, për 30 për qind më të larta.
Në qershor të këtij viti kemi një partneritet të ri dhe mundësit për të konkurruar janë edhe më të mëdha, në programe për gjithë Ballkanin Perëndimor, nga BE.
Szunyog bëri thirrje që të shfrytëzohen programet e Erasmus+, nga të rinjtë e Kosovës. Ai falënderoi MASHTI-në për bashkëpunimin e deritashëm.























