Rama: Shqipëria e shqetësuar për sulmin me raketa në Poloni
rtsh.al
Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me raportimet se raketa ruse kanë sulmuar Poloninë, në kufirin me Ukrainën.
Në një postim në Twitter, kreu i qeverisë i drejtohet me një mesazh kryeministrit Polak, Mateusz Morawiecki, duke shkruar se Shqipëria është seriozisht e shqetësuar në lidhje me këto lajme. Po ashtu, Rama shpreh solidaritetin dhe mbështetjen e Shqipërisë për Poloninë.
“Mateusz Morawiecki, Shqipëria është seriozisht e shqetësuar për lajmet mbi shpërthimet në Poloni. Ju keni solidaritetin dhe mbështetjen tonë”, shkruan Rama.
Dy persona raportohet se janë vrarë në Poloni si pasojë e raketave ruse, lajm që është konfirmuar edhe nga autoritete polake, po pa specifikuar që sulmi erdhi nga Rusia. Byroja e Sigurisë Kombëtare e Polonisë është mbledhur në një seancë urgjente dhe pritet të japë një deklaratë.
Nga ana tjetër, Ministria ruse e Mbrojtjes mohoi raportet, duke i konsideruar një "provokim të qëllimshëm që synon përshkallëzimin".























