Prokurori Arian Gashi votohet për anëtar të KPK-së
E.Hoti/RTKLive
Në Prokurorinë e Apelit të Republikës së Kosovës sot është realizuar procesi për votimin e anëtarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) nga radhët e kësaj prokurorie.
Përmes një komunikate për media, KPK ka njoftuar se kandidat për këtë pozitë ka qenë edhe Agron Bajrami, ndërsa në procesin zgjedhor kanë marrë pjesë 7 prokurorë.
“Në bazë të kompetencave ligjore, nga të gjithë prokuroret e kësaj prokurorie që kishin të drejtë të kandidohen për anëtarë të KPK-së, këtë të drejtë e kanë shfrytëzuar prokurori Agron Bajrami dhe prokurori Arian Gashi”, thuhet në njoftimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës.
"Në procesin zgjedhor kanë marrë pjesë shtatë prokurorë, aq sa ka gjithsej kjo prokurori, ndërsa pas procesit të votimit dhe numërimit të votave, me 4 vota për, për pozitën e anëtarit të KPK-së nga radhët e Prokurorisë së Apelit është votuar prokurori Arian Gashi, ndërsa për prokurorin Agron Bajrami kanë qenë tri vota".
Tutje në njoftimin e këtij institucioni thuhet se procesi zgjedhor në Prokurorinë e Apelit është zhvilluar duke u mbështetur në afatet ligjore, ngase anëtares së KPK-së nga kjo prokurori, prokurores Bedrije Syla-Alshiqi, i përfundon mandati në fund të këtij viti.
“Po ashtu, ky proces është monitoruar nga organizatat e shoqërisë civile, Grupi për Studime Juridike dhe Politike dhe Betimi për Drejtësi”, shkruan në njoftimin e KPK-së.























