Brenda nëntorit vijnë rreth 700 mijë vaksina anti-COVID
Shqipëri

Brenda nëntorit vijnë rreth 700 mijë vaksina anti-COVID

atsh

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu deklaroi sot se brenda muajit nëntor pritet të mbërrijnë në vendin tonë rreth 700 mijë vaksina të adoptuara sipas varianteve të reja të COVID-19.

Duke folur në Kuvend, Manastirliu informoi se përmes Aktit Normativ qeveria ka ndryshuar marrëveshjen me kompaninë “Pfizer”, duke riskeduluar datat e furnizimit me vaksinat e adoptuara sipas varianteve të reja të virusit.

Manastirliu tha se që sot pritet të mbërrijnë 48 mijë dozat e para të vaksinës së adoptuar, të cilat do të shpërndahen direkt në të gjitha qendrat shëndetësore të vendit.

“Me anë të këtij amendimi të katërt synohet riskedulimi i dozave të vitit 2022, me qëllim alokimin më efikas të tyre”, tha ajo.

Ministrja theksoi se dozat e vaksinës së adoptuar sipas varianteve të reja, do të shkojnë fillimisht për popullatën më të riskuar. Po ashtu, brenda nëntorit mbërrijnë edhe 50 mijë doza vaksinash për fëmijë.

Manastirliu apeloi qytetarët të marrin dozat përforcuese të vaksinës, ndërsa bëri të ditur se deri tani janë mbi 170 mijë persona që kanë marrë vaksinën antigrip.


MË SHUME NGA Shqipëri