Shqipëria, anëtare e plotë e Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së
Shqipëri

Shqipëria, anëtare e plotë e Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së

ATSH

Shqipëria u bë sot zyrtarisht anëtare e plotë e Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, nënshkroi sot së bashku me Komisionerin e BE-së për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarčič, në ambientet e COD, në Kryeministri marrëveshjen për anëtarësim në Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të BE-së.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, Peleshi u shpreh se, “Mekanizmi evropian ka qenë pranë nesh në ditë të vështira të emergjencave civile, të fatkeqësive natyrore, duke kulmuar në nëntor të vitit 2019, pra pas tërmetit dramatik që pësoi Shqipëria”.

Peleshi tha se “ne jemi anëtarë të këtij Mekanizimi. Do të thotë ne sot marrim pjesë, jo thjesht si përfitues, por marrim pjesë edhe si kontributor në tryezat ku përgatiten politikat, masat, aktet e mbrojtjes civile për të gjithë hapësirën e BE, por edhe të vendeve të Ballkanit që po i bashkohen këtij procesi”.

“Ne sot jemi përfitues të transferimit të dijeve, transferimit të teknologjisë. Teknologjia avancon shpejt, është e domosdoshme, e nevojshme, për t’u integruar gjithnjë e më tepër në sistemin e mbrojtjes civile, kemi nevojë për ngritjen e kapaciteteve njerëzore, për trajnime, për manuale të caktuara, të cilat nuk mund t’i përfitonim dot në masën, në formën dhe në shpejtësinë që do t’i përfitojmë tani si anëtarë të këtij Mekanizimi”, theksoi Peleshi.


MË SHUME NGA Shqipëri