Lëndë të shumta rrezikojnë të shtyhen pas dorëheqjeve të gjyqtarëve serbë
Arlinda Sejda / RTK
Gjyqtarët e dorëhequr të pjesës veriore të Kosovës nuk dorëzuan materialet dhe dosjet që kishin nën menaxhim, kjo ka bërë që mijëra lëndë rrezikojnë të shtyhen.
Dy javë më parë ata dhanë dorëheqje nga detyrat e tyre. Por gjyqtarët serb dhe stafi profesional i Gjykatës Themelore të Mitrovicës së Veriut nuk dorëzuan materialet dhe dosjet që kishin nën menaxhim. Rreth 5 mijë lëndë të ndryshme kanë mbetur të mbyllura dhe tek të njëjtat nuk ka qasje.
Mirëpo, pas dorëheqjes së 130 gjyqtarëve dhe stafit profesional, të nacionalitetit serb në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, aktualisht po trajtohen vetëm 7 lëndë të vrasjeve të rënda me aktakuzë.
Nënkryetari i kësaj gjykate, Bekim Veliqi e ka konfirmuar një gjë të tillë për RTK-në teksa ka konfirmuar që pas dorëheqjeve janë duke funksionuar me lëvizje të stafit brenda gjykatës.
Megjithatë, burime të RTK-së brenda kësaj gjykate bëjnë të ditur se së shpejti këto lëndë do të merren në posedim.
Aktualisht 10-të prokuror dhe 22 persona nga stafi administrativ, tashmë nuk janë duke punuar.
Valon Preteni zëdhënës i prokurorisë në Mitrovicë thotë se U.d i kryeprokurorit Besim Kelmendi ka marr vendim për transferimin e tre prokurorëve nga prokurorit tjera në Mitrovicë gjë që e ka lehtësuar punën këtu.
Për shtyrjen e lëndëve ka folur edhe avokati Musa Damati, duke thënë se seancat e vetme të cilat po mbahen si në divizionin civil po ashtu edhe në atë penal është e vetmja mundësi që trupat gjykues në të cilat kanë qenë në përbërje me gjyqtar shqiptar ato po vazhdojnë të procedohen.
“Ndërsa në anën tjetër në bazë të legjislacionit në fuqi, trupat gjykues të cilët kanë qenë në përbërje me gjyqtarët serb, të gjitha këto lëndë kthehen në pikën zero", tha Damati.
Ndërkohë nga Instituti Kosovar për Drejtësi (IKD), thonë se dorëheqjet e tilla e kthejnë prapa procesin e integrimit të serbëve në gjyqësor.
"Duhet theksuar faktin që nëse të njëjtit duhet të zëvendësohen, atëherë ata duhet zëvendësuar me gjyqtar dhe prokuror serb dhe nëse dorëheqjet e tyre aprovohen duhet të zhvillohet proces i ri i konkursit dhe në këtë situatë kur kemi dorëheqje masive qartazi dihet që edhe konkurset për rekrutim të gjyqtarëve dhe prokurorëve të rinj do të dështojnë”, tha Gëzim Shala nga IKD
Ndryshe stafi prej 162 punonjësve të nacionalitetit serb që kanë ofruar dorëheqjet e tyre ditë më parë, nëse të njëjtin pas disa procedurave ligjore nuk rikthehen në punë, dorëheqjet konsiderohen të parevokueshme.























