Kurti: Fitorja ndaj “IuteCredit”, fitorja e radhës së Kosovës në arbitrazh
V. Thaçi / RTKlive
Kosova e ka fituar rastin kundër kompanisë financiare “IuteCredit” në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbritazhit, ka konfirmuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi në rrjetin social Facebook.
Kurti e ka cilësuar si fitore të radhës të Kosovës në Arbitrazhin Ndërkombëtar.
“Republika e Kosovës shënon fitoren e radhës në arbitrazhin ndërkombëtar, duke vërtetuar ligjshmërinë e veprimeve institucionale ndaj investitorëve. Republika jonë ka krijuar ambient të përshtatshëm për investime të huaja dhe marrëdhënieve me investitorë i qaset me përkushtim e seriozitet të plotë”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Kryeministri ka falënderuar Ministrinë e Drejtësisë, Avokaturën Shtetërore në kuadër të Ministrisë si dhe ekipi përfaqësueses të Squire Patton Boggs.
“Gjatë këtij mandati qeverisës, kjo është fitorja e dytë e Kosovës në arbitrazhin e investimeve, pas rastit Selmani në padinë ndaj shtetit me vlerë të pretenduar rreth 65 milionë euro”, ka shkruar Kurti.























