Ahmetxhekaj: Mediumet publike të fokusohen në misionin e tyre|Video
BKT
Foto: RTKLive
Lajme

Ahmetxhekaj: Mediumet publike të fokusohen në misionin e tyre|Video

Anamari Repiq / RTK/ Beograd

“Transmetuesit publikë të evitojnë nxitjen e qëllimshme të tensioneve”. Kështu deklaroi Drejtori i Përgjithshëm i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, sot në Beograd, ku po merrë pjesë në konferencën “Mediat e reja të guximshme”, të organizuar nga Akademia Deutsche Welle dhe misioni i OSBE-së në Serbi.

Ahmetxhekaj vuri në dukje se pavarësisht sfidave të vazhdueshme si: financimi i qëndrueshëm, kalimi në teknologji dhe platforma të reja; fokusi i mediumeve publike sot duhet të jetë në informimi i drejtë dhe përmbajtja e duhur, e përshtatur për të rinjtë. 

Në Forumin për Mediat e Reja, Ahmetxhekaj tha se politika mund të jetë dominuese me aktivitete, por mediumet publike duhet të fokusohen në misionin e tyre, qe të jenë shërbim për të gjithë qytetarët dhe moshat.

'Misioni ynë ka të bëjë me informim të drejtë, para së gjithash, dhe të paanshëm, i cili, megjithatë në shumë vende po mungon. Ja një fakt: Mbrëmë gjatë rrugës duke ardhur në Beograd, ishim duke testuar sinjalin e Radio Kosovës, meqë kemi bërë investime në përmirësimin e sinjalit. Në kanalin e dytë dëgjova lajme në gjuhën serbe, e që ishin informacione nga fusha të ndryshme. Ndërkaq sot në mëngjes, fillova të shikoj se çfarë kanë kanalet televizive këtu. Ishte shumë e çuditshme, sepse në këtë ditë të shtunë, disa  kanale kishin programe politike që kishin edhe mesazhe luftënxitëse në njëfarë forme. Në gjykimin tim, në mediumet publike është e rëndësishme që kjo qasje te mos ekzistojë, sepse nuk e ndihmojmë publikun, as shtetet tona të cilat i përfaqësojmë”, ka thënë Ahmetxhekaj.

Ai ka shtuar se  sfidat janë shumë të mëdha, por kryesore mbetet se si të targetohen e si të ofrohet më shumë program për të rinjtë, të cilat duhet të jenë, e ta ndjejnë veten që janë pjesë e shoqërisë dhe që zëri i tyre po dëgjohet.

Si një nga sukseset kryesore, ai përmendi programet në gjuhët e komuniteteve, duke theksuar se një diversitet i tillë është reflektim i vetë Kosovës. Sipas Ahmetxhekajt, RTK-ja ka vendosur standardin e besimit dhe bashkëpunimit, ndërsa tri fjalët kyçe të RTK-së, në të ardhmen janë transformimi, idetë e reja dhe fytyrat e reja, për të ndërtuar një platformë të re që do t'i shërbejë të gjithëve.

Ne këtë Forum, përfaqësuesit e mediave, organizatat rinore joqeveritare dhe aktivistët, kanë mundësinë të diskutojnë se si mund të verifikohen informacionet, si të luftohen lajmet e rreme, si të qaset rinia dhe si të dëgjohet zëri  i tyre.

Ky forum mblodhi së bashku pjesëmarrës nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Evropës, të cilët në mënyra të ndryshe, merren me media.


MË SHUME NGA Lajme