Shefi i EULEX-it e komandanti i KFOR-it shëtisin në veri të Mitrovicës
J.Musliu/RTKlive
Dolën në shëtitje, e pastaj pinë kafe së bashku në veriun e Mitrovicës. Kështu vepruan të shtunën, shefi i misionit të EULEX-it në Kosovë, Lars-Gunnar Wigemark, bashkë me komandantin e KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia.
Wigemark deklaroi në llogarinë e tij në Twitter se ishin për një shëtitje përgjatë lumit ‘Ibër’ në Mitrovicë.
“EULEX-i dhe KFOR-i janë të sinkronizuar në rolet tona përkatëse të reaguesit të sigurisë në Kosovë”, ka shkruar Wigemark.
Gjatë ditës, trupat të EULEX-it janë parë në veri të vendit duke patrulluar. Kjo pasi atje ditë më parë kanë dhënë dorëhqeje pjesëtarë të Policisë së Kosovës të komunitetit serb.
Ndërkohë, patrullimet dhe shtimi i forcave të KFOR-it dhe Policisë së EULEX-it bëhet vetëm një ditë para se me 21 nëntor, të fillojë së zbatuari vendimi i Qeverisë së Kosovës për gjobitjen e qytetarëve që në veturat e tyre vazhdojnë të kenë targat ilegale KM e jo ato legale, RKS.























