Reshjet e shiut, Peleshi: Jemi në gatishmëri në të gjithë Shqipërinë
Shqipëri

Reshjet e shiut, Peleshi: Jemi në gatishmëri në të gjithë Shqipërinë

rtsh.al

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, ka inspektuar nga afër 2 qytetet verilindore që kanë pasur intensitetin më të lartë të reshjeve të shiut në vend.

Nga Lezha, Peleshi raportoi se ka pasur 3 evakuime në Malësinë e Madhe, si pasojë e daljes nga shtrati të përroit të Riollit dhe në Bërdicë. Po ashtu edhe në Dajç, disa dhjetëra hektarë tokë janë përmbytur nga uji. Ai shtoi se falë punës së mirë me kanalet kulluese, uji ka mundur të largohet dhe të shmangen përmbytjet. Ministri siguroi gadishmërinë e FA, të cilët po ndihmojnë me mjetet e tyre për kalueshmërinë, pasi, sipas Peleshit, aty ku ka nevojë për evakuim.

“Forcat e Armatosura janë në gatishmëri edhe me mjete edhe me njerëz për të përballuar këto ditë ” theksoi Peleshi.

“Forcat e Armatosura janë në gatishmëri edhe me mjete edhe me njerëz. Reshjet do të vazhdojnë me intensitet diku të lartë diku mesatar, por zona e Durrësit dhe Lezhës do të kenë intensitetin më të lartë. Të gjitha bashkitë me reshje intensive kanë bërë një punë të mirë me kanalet kulluese, pasi ku bie intensiteti i reshjeve, uji kullon. Në Dajç kemi disa dhjetëra ha nën ujë. Kur ra intensiteti, uji kulloi menjëherë, falë punës së bërë për rehabilitimin e kanaleve kulluese. Ka pasur 3 evakuime në Malësinë e Madhe për daljen nga shtrati të përroit të Riollit dhe në Bërdicë. FA po ndihmojnë  me mjetet e tyre për kalueshmërinë, pasi aty nuk ka nevojë për evakuim. Jemi në gatishmëri në të gjithë Shqipërinë për të përballuar këto ditë me reshje të shtuara se nga një anë na japin lajmin e mirë të mbushjes së baseneve, por ka edhe anën negative të përmbytjeve me të cilat duhet të përballemi”, theksoi Peleshi.

Ndërkohë nga Shkodra, ministri Peleshi ështe ndalur tek Harku i Bërdicës, si një pike nevralgjike e zonës, ku raportoi se në terren ka zbarkuar edhe ushtria për të ndihmuar banorët që të kalojnë rrugën në këtë hark, për shkak të prezencës së ujit. Ndërsa dy familje janë evakuuar, Peleshi kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve, pasi në disa zona ka ndërprerje të qëllimshme, për arsye sigurie, të energjisë elektrike.

“Duhet të na mirëkuptojnë qytetarët që në disa zona ndërprerja e energjisë bëhet për arsye sigurie, ndërpritet energjia sa të qetësohet situata. FA janë në krye të punës për të ndihmuar qytetarët të kapërcejnë këtë pikë nevralgjike, harkun e Bërdicës. Janë katër banesa që po i mbajmë në monitorim sepse rrezikojnë përmbytjen. Dy familje janë evakuuar”,- tha Peleshi.

Prej mbrëmjes të së shtunes rajoni i Lezhës është përfshirë nga reshje të dendura shiu, të cilat kane krijuar probleme në disa zona.


MË SHUME NGA Shqipëri