Aleanca Shqiptare e Maqedonisë së Veriut në Qeveri|Video
BKT
Foto: RTKlive
Lajme

Aleanca Shqiptare e Maqedonisë së Veriut në Qeveri|Video

Besnik Iseni / RTK

Qeverisë së Maqedonisë së Veriut pritet t`i bashkohet edhe partia shqiptare në opozitë, Aleanca për Shqiptarët.

Kryetari i kësaj partie, Arben Taravari nuk e përjashton mundësinë e përfshirjes në qeveri, por thotë se nga kryeministri Kovaçevski ende nuk kanë pranuar ofertë për pozita në Qeveri.

Nga ana tjetër, kryeministri maqedonas, Kovaçevski, tha se Aleanca për Shqiptarët mund të bëhet pjesë e Qeverisë nëse bisedimet me këtë parti vazhdojnë në frymën pozitive.

“Koalicioni ynë qeveritar është i hapur për të gjitha partitë politike të cilat e ndajnë atë vizion. Nga Aleanca për Shqiptarët kemi kërkuar mbështetje edhe për të gjitha ato ligje dhe reforma të cilat kanë të bëjnë me sundimin e së drejtës dhe me politikat e integrimit evropian", ka thënë Dimitar Kovaçevski Kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

Kovaçevski tha se me Aleancën për Shqiptarët ende nuk është biseduar për ndarjen e resorëve.

"Me Aleancën për Shqiptarët nuk kemi biseduar konkretisht për ndarjen e resorëve, por gjithsesi se bisedimet do të vazhdojnë. Në qoftë se biem dakord mbi parimet themelore, mund të ndodhë zgjerimi i shumicës qeveritare”, ka shtuar Kovaçevski.

Me përfshirjen e Aleancës për Shqiptarët në Qeveri, Kovaçevski synon ta rrisë numrin e nevojshëm të deputetëve për të bërë ndryshimet kushtetuese.

RTK mëson se Aleancës për Shqiptarët për t’u bërë pjesë e Qeverisë, i janë ofruar 3 ministri, po aq zëvendës ministra dhe disa drejtori.


MË SHUME NGA Lajme