Çekia, mbështetje Policisë së Shtetit në arsimim dhe logjistikë
Shqipëri

Çekia, mbështetje Policisë së Shtetit në arsimim dhe logjistikë

ATSH

 Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, priti sot në takim ambasadorin e Çekisë në Tiranë, Karel Urban.

Gjatë takimit, u vlerësua si mjaft i mirë bashkëpunimi ndërmjet dy policive dhe u dakordësua që ky bashkëpunim të shtrihet në të gjitha fushat me interes të përbashkët.

Drejtori i Përgjithshëm e njohu ambasadorin, me prioritetet që ai ka për vendosjen e standardeve të reja në drejtim të qasjes së Policisë ndaj qytetarëve, për ndryshimet strukturore në funksion të hetimit më të mirë të krimit dhe përgjigjes ndaj sfidave të reja, kryesisht në fushën e krimeve kibernetike, krimit të organizuar, korrupsionit, pastrimit të parave dhe terrorizmit, për ndëshkueshmërinë e punonjësve të Policisë që abuzojnë me detyrën apo përfshihen në afera korruptive, si dhe për vendosmërinë për të forcuar më shumë bashkëpunimin me partnerët.

Urban e falënderoi Rrumbullakun për pritjen, dhe vlerësoi maksimalisht angazhimin dhe përkushtimin e Policisë së Shtetit, për t’iu ardhur në ndihmë turistëve çekë, sa herë që ata kanë patur nevojë për ndihmë, sidomos në zonat e thella malore, ku punonjësit e Policisë shpeshherë kanë rrezikuar edhe jetën e tyre.

Ambasadori e siguroi Drejtorin e Policisë, për më shumë mbështetje nga Policia çeke, në të ardhmen, me programe në fushën e arsimimit policor dhe për mbështetje logjistike.


MË SHUME NGA Shqipëri