Ekskluzive|Serbia s`regjistron më vetura me targa ilegale në Kosovë?
Foto: Hysni Demaku/RTK
Lajme

Ekskluzive|Serbia s`regjistron më vetura me targa ilegale në Kosovë?

Jeton Musliu & Snežana Milosavljević / RTKlive

Qendrat e Kontrollimit Teknik në Kosovë me pronarë serbë, që punojnë me sistem të Serbisë, nuk kryejnë më shërbime që kanë të bëjnë me vazhdimin ose regjistrimet e reja të automjeteve me targat ilegale që përmbajnë akronimet e qyteteve të Kosovës si KM, GL, PR, etj.

RTKlive ka pyetur në një Qendër të Kontrollimit Teknik në Shtërpcë, me pronar serb, shtetas i Kosovës, nëse është e mundur që të bëhet vazhdimi i regjistrimit të automjetit me targat GL.

Duke u prezantuar si një qytetar serb i Kosovës, RTKlive ka pyetur për një gjë e tillë, nëse nesër  mund të bëhet vazhdimi i regjistrimit të automjetit, me pretendimin se tek i njëjti është bërë kontrollimi teknik edhe një vit më parë.

 “Nuk mundeni”, tha ai. I pyetur se prej kur nuk mundet që ta bëjë regjistrimin me targat GL, ai tha përgjigje të shkurtër. “Së fundmi  nuk mund të bëhet”, u shpreh ky pronar, pa dhënë më shumë detaje  (RTKlive posedon kontaktet e kësaj Qendre të Kontrollimit Teknik).

Se tashmë  nuk mund të bëhet vazhdimi apo regjistrimi në Kosovë i veturave me targat ilegale KM, PR e të ngjashme, e ka deklaruar edhe një parti që përfaqëson pakicën serbe në Kosovë, e cila pretendon se kjo çështje tashmë ka përfunduar.

Sipas Partisë të Serbëve të Kosovës (PSK), kjo temë është kryer në takimin mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq të hënën në Bruksel, nën ndrëmjetësimin e  Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, Josep Borrell.

PSK deklaron se presidenti i Serbisë, ka hequr dorë nga këto targa.

Madje PSK pretendon se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka shkelur Kushtetutën e Serbisë dhe pa vendim të Qeverisë dhe Kuvendit të Serbisë, ka anuluar lëshimin e targave  serbe me akronimet e qyteteve të Kosovës si KM, PR, GL etj.

 “Të gjithë ata që kishin shpresën më të vogël se lufta e Beogradit për të drejtat dhe të ardhmen tonë ishte e sinqertë, duhet ta dinë se janë mashtruar”, deklaron kjo parti politike, me një komunikatë për media.

PSK pretendon se nga e marta me  22 nëntor 2022, inspektimet teknike në Kosovë janë njoftuar nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë,  se u ndalohet dhënia apo vazhdimi i lejeve të komunikacionit për targa -KM, PR, PZ, GL, UR, PE.

“Kjo lëvizje e fundit dhe arbitrariteti i një njeriu shkatërroi çdo mundësi për një luftë të mëtejshme për ruajtjen e targave serbe dhe nuk ka asnjë sinjal më të qartë se tradhtia është arsyeja e kësaj drame të inskenuar dhe histerisë së paraluftës që ka ushqyer mediat shtetërore që nga maji i vitit 2022”, thuhet në njoftimin e Partisë së Serbëve të Kosovës, raporton RTKlive.

Se Serbia ka hequr dorë nga lëshimi i këtyre targave, e ka konfirmuar të hënën edhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit për rreth tetë orësh me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, të ndërmjetësuar nga Josep Borrell, Përfaqësues i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri të BE-së.

Borrell deklaroi se kishte paraqitur një propozim për targat e të cilin Presidenti Aleksandar Vuçiç e pranoi, por jo edhe  Kryeministri Albin Kurti.

Ai pati deklaruar se në mungesë të marrëveshjes, do t’u bënte thirrje solemne të dyja palëve.

“Së pari pres që Kosova të pezullojë menjëherë veprimet e mëtejshme për ri-regjistrimin e makinave në veriun e Kosovës… Serbia të ndërpresë lëshimin e targave të makinave me shenjat e qyteteve të Kosovës përfshirë ato me shenjën KM”, tha Borrell, duke theksuar se do të informojë vendet e Bashkimit Evropian për veprimet e palëve dhe mungesën e respektit ndaj detyrimeve ligjore ndërkombëtare.Përgjegjës për dështimin e marrëveshjes, ai bëri Kosovën.

Ndërkohë, Presidenti serb Vuçiç, tha se pala serbe është pajtuar më kërkesën e Borrellit.

“Na presin net pa gjumë dhe shumë ditë të vështira, por ne do ta dëgjojmë dhe do t’i përmbahemi këshillave dhe kërkesave të Përfaqësuesit të Lartë. Ai u kërkoi atyre që të mos zbatojnë gjoba dhe ne të mos lëshojmë targa të reja KM, kërkesë që ne e kemi pranuar”, tha ai.

Presidenti serb tha pas kthimit në Beograd se do të takohet me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, dhe se kërkesa e tij do të jetë “ruajtja e paqes”.

Ndërsa kryeministri I Kosovës, Albin Kurti u tha mediave në Bruksel se “propozimi ishte i papranueshëm pa u shoqëruar me angazhimin për marrëveshjen përfundimtare për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve”.

Ndërkohë sonte, edhe më tej po vazhdojnë bisedimet mes Kosovës e Serbisë në Bruksel, me ndërmjetësimin e BE-së. Ky takim po mbahet mes kryenegociatorit të Kosovës, Zëvëndëskryeministrit Besnik Bislimi dhe shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e Emisarit Special, Miroslav Lajçak.


MË SHUME NGA Lajme