Tetë eurodeputetë kundërshtojnë mundësinë e lidhjes së dialogut me vizat
Foto: violavoncramon.eu
Lajme

Tetë eurodeputetë kundërshtojnë mundësinë e lidhjes së dialogut me vizat

J.Musliu/RTKlive

Dialogu Kosovë-Serbi dhe liberalizimi i vizave për Kosovën, mbesin çështje të ndara nga njëra-tjetra.

Kështu deklaroi sot raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, në një deklaratë të përbëshkët të nënshrkuar edhe nga disa europdeputetë të tjerë.

Von Cramon dhe eurodeputetët e tjerë rikujtojnë se përveç Bjellorusisë, Kosova është i vetmi vend në Evropë, qytetarët e së cilës nuk mund të udhëtojnë lirshëm në BE.

“Liberalizimi i vizave për Kosovën dhe dialogu i udhëhequr nga BE-ja duhet të mbeten çështje të ndara”, shkruan në këtë deklaratë.

“Kosova është i vetmi vend evropian (përveç Bjellorusisë) qytetarët e së cilës nuk mund të udhëtojnë lirisht në BE”.

“Pavarësisht se ka listën më të gjatë me kërkesa,  nga çdo vend evropian, për të marrë statusin pa viza, kushtet janë plotësuar më shumë se 6 vjet më parë dhe janë konfirmuar vazhdimisht nga Komisioni Evropian”, rikujtojnë eurodeputetët, raporton RTKlive.

“Megjithatë, qytetarët e Kosovës ende qëndrojnë në radhë për viza edhe pse regjimi pa viza i është dhënë Nikaraguas apo Venezuelës së Maduros”.

Duke rikujtuar se liberalizimi i vizave është shumë i vonuar dhe duhet të ndodhë pa kushte, në këtë deklaratë shkruan se tërheqja nga agjenda e Këshillit të Ministriave e kësja pike, është e papranueshme.

“Kosova është me të vërtetë një vend ku shumica dërrmuese e qytetarëve të saj dëshirojnë të jenë pjesë e BE-së dhe ne duhet të realizojmë atë që kemi premtuar kohë më parë në mënyrë që të rikthejmë një pjesë të besueshmërisë së BE-së dhe të dëshmojmë se fjalët dhe deklaratat tona nuk janë thjesht premtime boshe”, shkruan më tej, raporton RTKlive.

“Ne besojmë fuqimisht se vendi i Kosovës është në BE dhe shpresojmë se hapi i parë në atë drejtim do të jetë konfirmimi i menjëhershëm i pakushtëzuar i liberalizimit të vizave”.

Von Cramon dhe eurodeputetët e tjerë deklarojnë se zgjidhja paqësore e krizës aktuale në veri të Kosovës, do ta mbështesë më tej këtë rrugë.


MË SHUME NGA Lajme