Analistët politikë: Pas marrëveshjes së arritur, priten zhvillime të reja
Foto arkiv/ RTKlive
Lajme

Analistët politikë: Pas marrëveshjes së arritur, priten zhvillime të reja

Albana Bajrami /Radio Kosova

Pas marrëveshjes së arritur për targat ndërmjet Kosovës e Serbisë, pritet të ketë një klimë të re për zhvillimet e mëtejme politike. Kështu thonë analistët në Kosovë ndërsa kanë qëndrime të ndryshme për sa i përket marrëveshjes, por theksojnë se veprimet e deritashme, kanë cenuar pozicionin e Kosovës për sa i përket ecurisë së dialogut dhe proceseve të tjera.

Analistët në Kosovë kanë qëndrime të ndryshme për sa i përket marrëveshjes së arritur për targat.

Analisti Artan Muhaxhiri tha për Radio Kosovën se e rëndësishme është që tani nuk do të ketë situatë të tensionuar në veri të vendit, derisa theksoi se arritja e marrëveshjes është një hap pozitiv për zhvillimet e mëtejme.

Ai megjithatë, mendon se u krijuan drama të panevojshme, që e kanë cenuar pozicionin e Kosovës, dhe kjo do të reflektohet edhe në ecurinë e dialogut.

 “Investimet e mëdha amerikane dhe evropiane në dialog, patjetër se do të rezultojnë me një përshpejtim të agjendës së dialogut dhe do të kemi qasje më kreative. Por, kjo që ndodhi me targat, mund të ndikojë në ri-formatizimin e dialogut dhe ri-orientimin e tij, sepse edhe Amerika dhe BE, me siguri do të punojnë në parandalimin e rasteve të tilla në të ardhmen. Patjetër që dialogu do të vazhdojë me një dinamikë më të madhe, mirëpo do të kërkohet nga palët që të jenë shumë më konstruktive dhe të mos humbasin kohë me performansa të tilla politike”, tha ai për Radio Kosova.

Ndërsa, analisti Blerim Burjani, mendon se marrëveshja për targat ishte një dështim, pasi sipas tij, ka pritur një zgjidhje tjetër më të favorshme për Kosovën.

“Ajo zgjidhje mund të ishte kur komunat veriore është dashur të kodifikohen, t’u jepte mundësi që serbët të kishin tabelat e lëshuara nga Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës, që nuk do të kishin parametrat RKS, por mund të kishin numra, si psh: 016, 017 e kështu me radhë, pra, të identifikohen me kode. Kjo do të ishte një zgjidhje më e favorshme. E fatkeqësisht, Kosova dështoi në dialogun e djeshëm”, tha Burjani

Megjithatë, Burjani theksoi për Radio Kosovën se kjo marrëveshje tani i hap rrugë dialogut final Kosovë-Serbi, edhe pse nuk shpreson se do të ketë një zgjidhje përfundimtare, pasi sipas tij, Serbia nuk është e interesuar për zgjidhje.

“Është thjesht një lojë e Serbisë, që Vuçiqi po e vazhdon dhe është shumë e dëmshme. Nuk shpresoj fare që Serbia do të pranojë ndonjëherë një zgjidhje përfundimtare me Kosovën, pra të normalizojë raportet, por do të jetë thjesht një lojë. Pra, se di si do të vijë zgjidhja përfundimtare dhe kush do ta sjellë atë zgjidhje dhe a do të pranojë Serbia, është një pikëpyetje shumë e madhe. Por, një gjë dihet, që do të ketë dialog dhe do të ketë lojë të Vuçiqit deri në pafundësi”, u shpreh ai.

Burjani, mendon se e vetmja gjë që perëndimi duhet ta bëjë për Kosovën, është që të hapë rrugën sa më shpejt për anëtarësimin e Kosovës në NATO. Sipas tij, kjo do t’ia mbyllte Serbisë të gjitha dyert dhe shpresat, që mund të kthehet ndonjëherë në Kosovë.

 


MË SHUME NGA Lajme